Hong Kongu “pushtohet” nga derrat e egër
Majin e kaluar, shtetasja australiane, Liz Waldh, burri dhe dy fëmijët e saj u vendosën për të jetuar në një zonë banimi afër qendrës financiare të Hong Kongut. Para disa javësh, ata u njoftuan me disa fqinjë të pazakontë – tre derra të egër.
Derrat e egër tashmë enden rregullisht rrugës që të dërgon në kompleksin e banimit, pushojnë pranë trotuareve dhe shëtiten në hapësirën e lodrave. “Ata janë shumë të shoqërueshëm”, thotë Walsh, por shton se është më e kujdesshme ndaj sjelljes së tyre kur del jashtë me fëmijët e saj.
Sipas të dhënave të Departamentit për Bujqësi, numri i personave që kanë raportuar për prani të derrave të egër është dyfishuar gjatë pesë vjetëve të fundit. Këto kafshë mund të peshojnë deri 200 kilogramë dhe mund të jenë të gjata deri dy metra.
Derrat e egër janë parë duke vrapuar në mënyrë të pakontrolluar afër qendrës financiare të Hong Kongut, në aeroportin ndërkombëtar të këtij vendi dhe në një qendër tregtare.
Hong Kongu është i famshëm për qendrat e ngarkuara urbane dhe rrokaqiejtë mahnitës. Sidoqoftë, më pak se 25 për qind e sipërfaqes së vendit është zonë me infrastructure të zhvilluar, ndërsa 40 për qind e territorit përbëhet nga parqet dhe pyjet. Për këtë arsye, në zonat urbane shpesh shfaqen kafshë të ndryshme, të cilat dalin nga xhungla, shkruan “CNN”