Homologimi i veturave: Kosovarët çuan miliona euro në xhepat e Devollëve
Monopoli i familjes Devolli për homologim të veturave mori fund. Veturat e reja që hyjnë në Kosovë tash e tutje nuk do t’i nënshtrohen më këtij procesi, që ka kushtuar jo më pak se 125 euro për veturë. Gjatë ditës së djeshme Bashkimi Evropian ka treguar se Ministria e Infrastrukturës ka marrë vendim që të anulohet homologimi për veturat e reja të importuara. Ndryshe, qytetarët e Kosovës çdo vit kanë paguar rreth katër milionë euro për homologimin e veturave.
Kompania “EuroLab”, pronë e Blerim Devollit për shumë vite me radhë ka mbajtur tregun në duar për homologimin e veturave të reja që kanë hyrë në Kosovë.
Si i vetëm në treg, Blerim Devolli, brenda një viti llogaritet që ka marrë hiç më pak se 4 milionë euro nga qytetarët e Kosovës.
Kosovarët kanë qenë të obliguar që për një veturë të paguajnë jo më pak se 125 euro.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Zharku, muaj më parë kishte iniciuar një seancë në Kuvendin e Kosovës për të folur për biznesin e Devollëve. Ai në atë kohë pati thënë se qytetarët e Kosovës çdo vit paguajnë rreth katër milionë euro për homologimin e veturave.
“Nuk është dhënë asnjë analizë si janë dhënë këto çmime prej 100 euro për vetura, 150 për rimorkio e 200 euro për kamionë. Në aspektin financiar homologimi dhe mbikëqyrja arrin shumën deri në katër milionë euro që paguajnë qytetarët për çdo vit”, kishte thënë Zharku.
Deputeti Zharku në atë kohë kishte thënë se deri në fund të vitit 2019 duhet të liberalizohet tregu i homologimit të automjeteve.
E hiç më larg se dje monopoli i familjes Devolli për homologim të veturave mori fund.
Bashkimi Evropian përmes një njoftimi ka treguar se Ministria e Infrastrukturës ka marr vendim që të anulohet homologimi për veturat e reja të importuara.
Përmes një reagimi, nga BE kanë shkruar se kjo po shihet si hap i duhur për heqjen e barrierave për tregti që janë të dëmshme për konsumatorët e Kosovës.
Të njëjtët kanë kërkuar kjo qasje të zbatohet për të gjitha automjetet e importuara që përputhen me standardet e BE, përfshirë automjetet e dorës së dytë.
“Bashkimi Evropian Kosova mirëpret vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës që të anulojë homologimin për automjete të reja të importuara ,të prodhuara për tregun e BE-së, si hapi i duhur për heqjen e barrierave për tregti që janë të dëmshme për konsumatorët e Kosovës. Ne presim që e njëjta qasje të zbatohet për të gjitha automjetet e importuara që përputhen me standardet e BE përfshirë automjetet e dorës së dytë”, shkruhet në reagimin e BE-së.
Pas deklaratës së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë për anulimin e homologimit për automjetet e reja të prodhuara në vendet e BE-së, ka reaguar edhe shefi i kabinetit të Ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Ai në një deklaratë për media ka thënë se Ministria e Infrastrukturës është në rrugë të mirë për ta liberalizuar tregun lidhur me shërbimin e homologimit të veturave.
“Krejt çka është duke ndodhur, është duke u tentuar të liberalizohet tregu ashtu siç ka kërkuar Bashkimi Evropian, me u bë liberalizimi i shërbimit, jo me ndodh me një vend dhe me një çmim po me ndodh në shumë vende. Është në rrugë të mirë me u liberalizu tregu i këtij shërbimi”.
Tre muaj më parë ndërkaq në Kuvend të Kosovës është miratuar rezoluta për heqjen e monopolit në homologim. Në këtë seancë u kërkua që të shfuqizohet udhëzimi administrativ për procedurën për homologim dhe të hyjë në fuqi një udhëzim i ri administrativ.
Kjo që deri në fund të vitit të liberalizohet tregu i homologimit të automjeteve dhe sipas tij, urgjent duhet të merren masa për ndryshime legjislative që të ndërrohen monopolet.
Për këtë kishin reaguar nga Bashkimi Evropian dhe ambasada amerikane.
Në Kuvend të Kosovës për këtë çështje ishte dorëzuar edhe një peticion i nënshkruar nga më shumë se 10 mijë qytetarë.
Kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherësh ekonomisti, Hekuran Murati, i është gëzuar vendimit të ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit për largimin e homologimit për veturat e reja që vijnë nga Bashkimi Evropian.
Gjithsesi ministria nuk ka marrë vendim për heqjen e homologimit për veturat e përdorura që vijnë nga BE-ja. E për këtë Murati thotë se do të ndodhë shumë shpejt.
“Dhe ja, gjërat fillojnë të vijnë në vend ende pa e marrë mandatin Qeveria e re. Efektet po vërehen që tani. Së shpejti do të hiqet obligimi për homologim edhe për veturat e përdorura, gjë që e kanë kërkuar mbi 10 mijë qytetarë me peticion, e madje edhe vetë BE-ja”, shton ai.
Kundër monopolit të Devollëve në homologim ishin shprehur edhe ambasadori gjerman në Kosovë dhe Oda Amerikane.
Ambasadori gjerman, Christian Heldt ka thënë se nuk e kupton se si veturat që vijnë me të gjitha dokumentet dhe kontrollat e nevojshme, duhet t’i nënshtrohen edhe një kontrolli tjetër nga kompania private, që në këtë rast është e Devollit.
“Vetëm një ambasador i gjorë që po provojë të kuptojë logjikën se si shkojnë procedurat: Veturat e reja nga Evropa importohen në Kosovë me dokumente të kompletuara për homologim. Por pastaj, gjithçka duhet të kontrollohet edhe njëherë nga një monopol lokal që duhet të paguhet më shtrenjtë në gjithë BE-në??”.
Edhe Oda Amerikane kishte shprehur shqetësimet e saj lidhur me monopolin në homologimin e automjeteve nga Devollët, duke thënë se kjo pengon konkurrencën, promovon praktikat e padrejta të ofrimit të shërbimeve dhe rrit shpenzimet e bizneseve dhe qytetarëve.
“Të pasurit e një operatori të vetëm të homologimit pengon konkurrencën e lirë, e rrjedhimisht edhe efikasitetin që do të rezultonte nga ofrimi i shërbimit nga më shumë operatorë, si në aspekt të shmangies së çmimeve të larta, por edhe të rritjes së disponueshmërisë së shërbimeve të diversifikuara për publikun. Sistemi aktual i homologimit të automjeteve pengon lirinë e ofrimit të shërbimeve, e cila ka për efekt ndëshkimin e konsumatorëve me shpenzime shtesë logjistike nga marrja e shërbimit në një lokacion të vetëm”.
Një reagim të njëjtë e ka pasur edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Ndryshe, çdo makinë e importuar në Kosovë duhet t’i nënshtrohej një kontrolli rutinor i quajtur “homologim”. Ky lloj kontrolli bëhet vetëm për t’i inkasuar 125 euro.
Pra, secili qytetar apo kompani që blen vetura ishte i detyruar t’i nënshtrohej homologimit në Qendrën e Automjeteve të Kosovës (QAK), e cila është pronë e Shkëlqim Devollit nga Peja.
Kurse tash e tutje qytetarët mund të blejnë vetura të reja nga vendet e BE-së dhe nuk do të kenë nevojë që të paguajnë homologimin tek kompania “EuroLab” që deri sot ka pasur monopolin në këtë fushë.
Bashkimi Evropian ka përkrahur lajmin për largimin e homologimit për vetura të reja, por gjithsesi ka kërkuar që kësaj pune të i shkohet deri në fund dhe të largohet obligimi për homologim edhe për veturat e përdorura që vijnë nga vendet anëtare të bllokut./FaktePlus