Holanda futet në izolim për pesë javë
Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, tha se vendi i tij do të futet në izolim për pesë javë, për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Nga e mërkura, të gjitha dyqanet me artikuj jothelbësorë do të mbyllen.
Dyqanet ushqimore, bankat dhe farmacitë do të mbeten hapur.
Parukeritë, muzetë, teatrot, tregjet “e Krishtlindjes”, kazinotë, parqet zbavitëse, palestrat dhe pishinat do të mbyllen po ashtu.
Nga e mërkura do të mbyllen edhe shkollat fillore dhe të mesme.
Këto masa do të zgjasin deri më 19 janar.
Të hënën, Holanda regjistroi 8.496 raste të reja me koronavirus – pak më shumë se mesatarja javore.
Derisa Rutte iu drejtua kombit, protestuesit që kundërshtojnë masat e izolimit, mund të dëgjoheshin jashtë parlamentit.
Holanda, në total, ka regjistruar mbi 632.000 raste me koronavirus.
Prej tyre, mbi 10.000 pacientë kanë humbur jetën.
Në të gjithë botën, numri i të infektuare ka kaluar 72 milionë.
Mbi 1.6 milionë kanë vdekur dhe mbi 47 milionë janë shëruar.