Hiqet dilema: MSH tregon sa persona do të vaksinohen më 24 mijë dozat e ardhura në Kosovë
Të dilën mbrëma kanë arritur dozat e para të vaksinës anti-COVID në Kosovë. Bëhet fjalë për 24 mijë doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca, të cilat Kosova i ka pranuar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shkruan FaktePlus.
Procesi i vaksionimit ka filluar menjëherë për stafin mjekësor të Kosovës ndërsa ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që i pari u vaksinua të hënën, kurse të martën vaksinimi ka vazhduar për punëtorët shëndetësorë.
Por këto 24 mijë doza a do të jenë për 24 mijë persona?
Nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës kanë sqaruar se dozat e ardhura së fundi, do të jenë për përdorim vetëm për dozën e parë. Sipas MSH-së doza e dytë për personat që tani marrin vaksinën, do të merret në qershor të kërtij viti.
Faik Hoti, nga Ministria e Shëndetësisë, ka thënë për FaktePlus se 24 mijë dozat e ardhura të vaksinës do të jenë për 24 mijë persona.
“ 24 mijë doza, për 24 mijë persona. Së pari do të jepet nga një dozë tani, ndërsa e dyta në qershor për ata që e marrin tani dozën e parë, sepse doza e dytë e Astra Zeneca jepet 4-12 javë pas dozës së parë”, ka thënë Hoti.
Hoti tutje ka shtuar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se në Kosovë do të arrijnë edhe 76 mijë e 800 doza shtesë në maj të këtij viti.
“ Sipas UNICEF-it, 76,800 doza shtesë të vaksinës COVID19 do të arrijnë në Kosovë deri në maj 2021 përmes COVAX. Nuk përjashtohen edhe doza te tjera nga partnerë të tjerë”, ka thënë ai.
Ndryshe në total, Kosova do të marrë falas nga COVAX-i 100.800 doza të vaksinës së AstraZenecas, ndërkaq autoritetet kanë thënë se janë në bisedime që të sigurojë edhe vaksina të tjera.
Ndërkaq edhe Ish-ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka thënë se janë konfirmuar 100 mijë vaksina anti Covid për qytetarët e Kosovës.
Zemaj përmes një postimi në Facebook, thotë se nga komunikimi i fundit që ka pasur sot me COVAX, janë konfirmuar edhe mbi 100 mijë vaksina antiCovid. Këtë komunikim thotë se a përcolli ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.
“Nga komunikimi i fundit që arriti sot nga COVAX, ( për sigurimin e radhës së vaksines Pfizer-BioNTech) komunikim të cilin ia përcolla Ministrit Vitia për ta vazhduar atë zyrtarisht, konfirmohen 100.620 vaksina anti Covid-19 në qershor, për qytetarët e Republikës së Kosovës “, është shprehur Zemaj.
Kush do vaksinohet në fillim?
Institucionet kompetente shëndetësore në Kosovë në muajin shkurt kanë hartuar Planin shtetëror të vaksinimit kundër COVID -19. Në bazë të këtij plani, Komiteti për Vaksinim ka paraparë që pas futjes në përdorim të vaksinës, procesi të realizohet në tri faza.
Faza e parë: Vaksinimi i grupeve më rrezik të lartë që përbëhet nga punëtorët shëndetësorë, banorët dhe punëtoret shëndetësorë të shtëpive të kujdesit për të moshuarit, grupmoshat 80+ dhe një pjesë e popullsisë me sëmundje kronike (persona në dializë, persona me diabet, sëmundje kardiovaskulare).
Numri i përgjithshëm i këtij grupi llogaritet të jetë 54.000 persona apo 3 për qind e popullsisë së përgjithshme të Kosovës.
Sipas këtij plani, kohëzgjatja e fazës se parë do të jetë 20 ditë dhe gjatë të gjitha seancave të vaksinimit do të sigurohet zbatimi i të gjitha masave për parandalimin dhe kontrollin e infektimit.
Vëmendje e veçantë, thuhet në Planin e imunizimit, do t’i kushtohet barazisë në shpërndarjen e vaksinave. Rreth 11.000 doza vaksinash do t’i dedikohen vaksinimit të 5.400 punonjëseve shëndetësorë dhe të moshuarve (10 për qind e popullsisë që vaksinohen në fazën e parë) në dhjetë komuna të banuara me shumicë serbe. Strategjia e shpërndarjes së vaksinave për këto komuna është e njëjtë me komunat tjera.
Faza e dytë do të përfshijë grupmoshat mes 65-79 vjeç, popullsinë e mbetur me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID-19, që përbëjnë 306.000 ose 17 për qind të popullsisë së përgjithshme.
Gjatë fazës se parë dhe të dytë të futjes në përdorim të vaksinës, Kosova do t’i përdorë vaksinat nga programi COVAX, vaksina të cilat Kosova i merr falas.
Ndërsa në fazën e fundit, në plan parashihet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë në mënyrë që të arrijë 900 mijë persona ose 70 për qind të mbulimit të përgjithshëm të popullsisë me vaksinën COVID-19.
Vaksina e AstraZenecas
Kompania farmaceutike AstraZeneca, e ka zhvilluar vaksinën kundër koronavirusit në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit. Vaksina administrohet te personat mbi 18 vjeç dhe jepet përmes dy dozave.
Intervalet ndërmjet dozave variojnë nga katër deri në 12 javë. Disa studime kanë sugjeruar se sa më e gjatë të jetë distanca kohore ndërmjet dozës së parë dhe të dytë, aq më shumë ka gjasa që vaksina të nxisë imunitet kundër sëmundjes COVID-19.
AstraZeneca ka thënë se efikasiteti i vaksinës së saj në parandalimin e simptomave të COVID-19 është 76 për qind.
Në fillim të marsit, një sërë shtetesh pezulluan përdorimin e vaksinës së AstraZenecas, për shkak të efekteve anësore. Në disa shtete u raportuan raste të mpiksjes së gjakut, pas administrimit të vaksinës. Por, më 18 mars, Agjencia Evropiane e Barnave tha se kjo vaksinë është e sigurt për përdorim./FaktePlus