HIB Petrol reagon ndaj AKK-së: Po na ndëshkoni në kohë krize, pa fakte
Korporata HIB Petrol ka reaguar sot ndaj Autoritetit Kosovar të Konkurrencës pas njoftimit që kanë marrë nga ky institucion se kompania do të ndëshkohet më 3 % të totalit të të hyrave gjashtëmujore për të vitit 2018, siç thonë nga HIB me pretendimin se është çrregulluar konkurrenca tregtare në muajt nëntor dhe dhjetor të vitit 2018. HIB thotë se AKK një gjë të tillë s’ka arritur që ta argumentojë fare.
Nga HIB Petrol thonë se një vendim i tillë i AKK’së po vjen në një kohë kur të gjitha shtetet janë duke bërë përpjekje që të ndihmojnë bizneset pas goditjes së rëndë nga pandemia.
“Në periudhën e njëjtë kur në vendet e rajonit dhe të gjithë botës, shtetet po bëjnë stimulime të mëdha financiare për shpëtimin e domodoshëm ekonomik, posaçërisht ndaj tatimpguesve të mëdhenj, si interes strategjik për ekonominë e tyre vendore, në Kosovë, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka vendosur ta bëjë saktësisht të kundërtën – duke marrë vendim për ndëshkimin e tatimpaguesit më të madh vendor, korporatës HIB, me 3% të totalit të të hyrave për 6 (gjashtë) mujorin e vitit 2018, pa asnjë dëshmi të vetme, por duke u bazuar kryesisht në siç thuhet; “shqetësimet e ngritura nga opinioni publik, përmes mediave dhe shoqërisë civile”. Në vendimin e njëjtë, AKK poashtu thotë se HIB Petrol nuk ka abuzuar me pozitën dominuese treg”, thuhet në reagimin e HIB Petrol.
Në reagim thonë se AKK ka mungesë të madhe të fakteve mbi të cilin e ka marrë vendimin dhe se si institucion nuk e kupton funksionimin e tregut të derivateve dhe vendosjes së çmimeve.
“Përveç mungesës së theksuar të fakteve mbi të cilin është marrë ky vendim, dhe përkundër sqarimeve të dhëna, AKK nuk ka arritur ta kuptojë funksionimin e tregut të derivateve dhe faktorëve që ndikojnë në vendosjen e çmimeve, që në rastin e korporatës HIB janë të shumtë, duke përfshirë; modelin vetanak të caktimit të çmimeve, të sqaruar në seancën dëgjimore të datës 14 shkurt 2020 bazuar në projekt buxhet, rritjen e çmimeve sezonale të berzës dhe furnizimin më të shtrenjtë, kufizimet dhe kërkesat e bankave sa i përket kredive dhe mbitërheqjeve, investimet kapitale të kompanisë në zgjerimin e rrjetit të saj të shitjes, rritja e shpenzimeve si pasojë e rritjes së pagave të punëtorëve (me mbi 300 mijë euro), shpenzimeve tatimore, rritjet e tarifave nga rregullatori si licencat e shumta, pastrimi i rezervuareve apo edhe rritja e kostova nga qeratë, rabatet vjetore të grumbulluara në fundvit, apo edhe investimet në sistemet e brendshme operative dhe investimet që synojnë harmonizim me legjislacionin ndërkombëtar”, thuhet ndër të tjera në reagim.
“Metodologjia e vendosjes së çmimeve nga ana e HIB Petrol është metodologji e pavarur biznesore e bazuar në modelin e saj biznesor, dhe e cila metodologji e çmimeve nuk ka ndikuar dhe nuk ka pasur asnjë efekt në çregullimin e konkurrencës në industrinë e naftës dhe benzinës. Vendosja e çmimeve nga HIB Petrol është në përputhje me modelin e saj biznesor të aplikuar në vite, dhe çmimet e vendosura nga HIB Petrol kanë qenë të ndryshme nga të gjitha kompanitë tjera dhe nuk ka pasur çmime uniforme, prandaj nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë provë për praktikë të bashkërenduar/marrëveshje” ka thënë Hysen Lajqi, drejtor ekzekutiv në HIB Petrol.
Lajqi tutje ka thënë se aktualisht kompania është duke u përballur me sfidën e gjetjes së një modeli për të mbijetuar dhe për të ruajtur vendet e punës meqë në kompani ka mbi 1 mijë e 300 të punësuar.
“Në kohën kur e gjithë vëmendja jonë është në gjetjen e modelit më të mirë për mbijetesën ekonomike dhe ruajtjen e vendeve të punës për mbi 1300 të punësuar në korporatën tonë, të cilët duam të vazhdojmë t’i paguajmë rregullisht dhe me paga të plota, përkundër goditjes së drejtpërdrejtë që kemi marrë nga pandemia, ne duhet tani poashtu të luftojmë edhe me vendime krejtësisht të padrejta, gjë që e bën ambientin tonë të të bërit biznes pothuajse të pamundur dhe me rrezik të përgjithshëm ekonomik, si për punëtorët tanë, ashtu edhe për vendin, ndaj të cilit ne vazhdimisht paguajmë më së shumti taksa dhe tatime”, ka shtuar ai.
“Prandaj, sidomos në këtë kohë shumë sfiduese për të gjithë na nevojiten institucione që gjejnë forma për mbështetje dhe stimullime për dalje nga kriza ekonomike, dhe jo autoritete që marrin vendime të pabazuara, të padrejta dhe ndëshkuese, të cilat do ta vështirësojnë edhe më tej gjendjen tonë të përgjithshme socio-ekonomike, duke shkaktuar kriza të tjera me mision shkatërrues, dhe dëme të pariparueshme ndaj nesh në veçanti, dhe gjithë tregut në përgjithësi”, ka përfunduar Lajqi.
Nga kompania thonë se pikërisht në vitin 2018 kanë paguar 500 milionë euro për buxhetin e Republikës së Kosovës derisa thonë se i kanë shkaktuar dobi të madhe ekonomisë së Kosovës.
“Vlen të përsëritet se HIB është korporata më e madhe në Kosovë, që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Pikërisht në 2018, për 10 vjet shtetësi, HIB ka paguar rreth 500 milionë euro në buxhetin e shtetit, ndërsa dobia e përgjithshme ekonomike që HIB ka krijuar në Kosovë është edhe më e madhe sesa shuma direkte që korporata ka paguar në institucionet e tatimit dhe doganës”, përfundon reagimi.