“HIB Petrol” po e “han” djersën e punëtorëve
Raportimet për shkeljet e thella që po u bëhen punëtorëve në sektorin privat në Kosovë kanë qenë mjaft të shpeshta. Ankesat e të punësuarve në këtë sektor kanë qenë e vazhdojnë të jenë për paga të vogla, orar të stërzgjatur, trajtim jo adekuat dhe shkelje tjera të shumta. Njëjtë është duke vepruar edhe kompania për shitjen e derivateve “HIB Petrol”, e cila përveç që u ka prekur pagat punëtorëve po vazhdon t’i detyrojë të punojnë më shumë se 40 orë në javë dhe vetëm me një ditë pushim.
Numri i të punësuarve në Kosovë, llogaritet të jetë diku mbi 350 mijë. E nga ky numër, në sektorin publik janë të punësuar rreth 85 mijë, kurse rreth 250 mijë llogaritet se punojnë në sektorin privat.
Me probleme gjithnjë në Kosovë ka qenë kategoria e atyre që janë të punësuar në sektorin privat, pasi këtu edhe janë bërë në rastet më të shpeshta shkeljet e të drejtave të punëtorëve.
Madje kushtet e pavolitshme të punës në sektorin privat sipas sindikatave janë një ndër arsyet që po detyrojnë të rinjtë edhe të ikin nga vendi.
E me kushte jo të mira të punës, me paga të vogla e orar të stërzgjatur, si dhe trajtim jo adekuat dhe me shkelje tjera të shumta, po përballen edhe punëtorët e kompanisë për shitjen e derivateve “HIB Petrol”.
Kjo kompani që ka qarkullim prej qindra milionë euro, është prezente me dhjetëra pika për shitjen e derivateve nëpër Kosovë e në të cilat funksionojnë edhe marketet e restorantet dhe ka të punësuar mbi 1 mijë persona.
Zyrtarët e “HIB Petrol” mohojnë se po u shkelen të drejtat punëtorëve. Madje nga kjo kompani thonë se puna prej 6 ditë në javë dhe vetëm me një ditë pushim është e ligjshme.
“I gjithë orari i punës është i organizuar në kuadër të Ligjit të punës, i cili lejon që punëtori të punoj 6 ditë në javë me pushim javor së paku 1 ditë apo 24 orë. Po ashtu, të ardhurat mujore nuk u janë ulur, por përkundër kemi pas rritje te pagave tek të gjithë të punësuarit ne vitin 2019 (kjo vërtetohet me deklaratat e pagesave dhe listat e pagave)”, thuhet në përgjigjen e kompanisë.
Mirëpo, në Ligjin e Punës që është në fuqi në Republikën e Kosovës, është e caktuar që norma javore e punës është prej 40 orë, që me një orar prej 8 orë në ditë përmbushet për 5 ditë dhe punëtori i merr 2 ditë pushim brenda javës.
Sipas Ligjit, puna prej 6 ditëve dhe me mbi 40 orë në javë mund të bëhet vetëm nëse vullnetarisht pranohet nga punëtori dhe ajo punë duhet të paguhet shtesë pagës bazë.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus merr vesh se kompania “HIB Petrol” nuk është duke vepruar me punëtorët e saj ashtu si e parasheh ligji, por edhe si i ka nënshkruar kontratat me ta.
Disa punëtorë të kësaj kompanie (emra të njohur për redaksinë) kanë dëshmuar se këtë vit kompania u ka ulur pagat në kontratë shumë punëtorëve dhe se po detyrohet të punojnë më shumë se 40 orë në javë.
“Pagat me letra – kontratë na i kanë zvogëluar. Pra, nëse 300 euro tash i marrim me kontratë, pjesa tjetër na del si shtesë. Tash e kemi kuptuar se kjo është bërë që kompania të paguaj më pak kontribute për punëtorët në Trustin Pensional dhe të arsyetohet kinse pagesa shtesë po bëhet për orët shtesë, pasi detyrohemi në kundërshtim me kontratat të punojmë 6 ditë në javë, pra së paku 48 orë. Kështu po e hanë djersën tonë”, kanë pohuar punëtorët.
Këta punëtorë thonë se nuk u gëzohen aspak festave, sepse edhe ato ditë duhet të punojnë madje shpeshherë me orar të zgjatur, por që asnjëherë nuk kompensohen. Ata tutje theksojnë se edhe pushimet vjetore nuk i marrin sipas kontratës dhe Ligjit të Punës.
E për shkelje të tilla të ligjit ka pranuar ankesa të shumta nga punëtorët e sektorit privat edhe Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK).
Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi i ka thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus, se nëpër pompat e benzinës numri më i madh i punëtorëve punojnë me mbi 40 orë në javë dhe pa asnjë stimulim, pagesë apo pushim shtesë.
“Punëtorët duhet të punojnë 5 ditë nga tetë orë dhe brenda javës arrijnë 40 orë punë ashtu si parashihet me ligj. Mundet me dëshirën e punëtorit të punoj edhe 48 orë, por këto duhet të paguhen shtesë. Përndryshe në pompat e benzinës gati nuk ka punëtor që nuk e tejkalon normën dhe nuk merr asnjë stimulim, asnjë pagesë shtesë apo pushim”, tha Azemi.
Sipas tij, kompanitë private në përgjithësi as për së afërmi nuk po u përmbahen kontratave dhe Ligjit të Punës.
“Nëpër kompani private punëtorët nuk mund të kenë pushimin që u takon me ligj. Rrallë ama shumë rrallë mund të shohim kompani ku kanë pushim vjetor prej 1 muaj. Pjesa dërmuese janë 10-12 ditë”, potencoi Azemi.
Për shkak ankesave që kanë shkuar edhe në Inspektoratin e Punës, ky institucion ka inspektuar kompaninë “HIB Petrol”.
Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi i tha FaktePlus se këtë vit kanë pasur plan që të inspektojnë të gjitha pompat e benzinës, por për shkak numrit të vogël të inspektorëve nuk po mund të arrihet një gjë e tillë.
“Edhe me ankesa edhe kështu vet kemi inspektuar. Plan kemi pasur që këtë vit të gjitha pompat e derivateve t’i inspektojmë, por për shkak numrit të vogël të inspektorëve nuk po mundemi. Kemi pas ankesa edhe në HIB Petrol edhe në pompa tjera dhe inspektimet janë në plan dhe do të bëhen”, tha Ibrahimi.
Inspektori thekson se java e punës është 40 orë dhe pjesa më e madhe se kaq mundtë bëhet me marrëveshje dhe me pagesë shtesë ashtu si parashihet me ligj.
Duhet theksuar se në Kosovë, ligji i cili mbron të drejtat e punëtorëve është në fuqi që nga viti 2011, por ky ligj nuk ka gjetur zbatim sa duhet, në veçanti për punëtorët që punësohen në sektorin privat.
Shpeshherë është raportuar për shkeljet e thella që po u bëhen punëtorëve në sektorin privat me paga të vogla, orar të stërzgjatur të punës, trajtim jo adekuat dhe shkelje tjera të shumta. Këto shkelje janë bërë kryesisht në sektorin e ndërtimit, rrjetet e marketeve të mëdha, si dhe pompat për shitjen e derivateve./FaktePlus