“Heshtja” e fushatës në Podujevë, PZAP s’pranon asnjë ankesë nga LDK, LVV dhe PDK
Qytetarët e Komunës së Podujevës më 15 mars do të zgjedhin udhëheqësin e tyre.
Kjo për shkak, se kryetari i deritanishëm i cili ka udhëhequr për rreth tri mandate me Komunën e Podujevës, Agim Veliu edhe zyrtarisht ka marrë postin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës në Qeverinë e re e cila është votuar më 3 shkurt të këtij viti, shkruan FaktePlus.
E, derisa fushata në këtë komunë po vazhdon që nga 3 marsi dhe e cila do të përfundojë më 13 mars (e premte), gjithçka po kalon në heshtje.
Kjo heshtje, po vjen si pasojë e çështjeve të tjera e të cilat janë me rëndësi për vendin.
Ajo e cila tash për tash po diskutohet nga spektri politik dhe po merr vëmendjen e të gjithëve janë raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo, për shkak që SHBA-ja në vazhdimësi po kërkon nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, heqjen e tërësishme të taksës ndaj mallrave serbe, gjë për të cilën Kurti nuk po u bindet.
Madje, gjatë ditës së djeshme senatori amerikan David Perdue, përmes një shkrimi në Twitter ka shkruar se në rast që Kosova nuk e shfuqizon tarifën ndaj Serbisë dhe nuk është e përkushtuar për paqen, atëherë SHBA-ja duhet të rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë.
“Për më shumë se dy dekada, forcat amerikane kanë ndihmuar në ruajtjen e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Tani, me përparimin e bërë historik, Kosova duhet të bëjë pjesën e vet dhe të shfuqizojë të gjitha tarifat e vendosura ndaj Serbisë. Nëse Kosova nuk është plotësisht e përkushtuar për paqe, atëherë SHBA duhet të rishqyrtojë praninë e saj atje”, ka shkruar senatori Perdue.
Kjo temë, siç duket po vazhdon të lë nën hije fushatën zgjedhore në Komunën e Podujevës.
Madje, për një javë asnjëra nga partitë garuese në këto zgjedhje siç është Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike nuk kanë bërë asnjë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Kjo është bërë e ditur për FaktePlus, nga kryesuesi i PZAP-së, Mulë Desku
“Ju informojmë se, për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në Komunën e Podujevës, të cilat do të mbahen më 15 mars 2020, deri më tani nuk është paraqitur asnjë ankese apo apel nga subjektet politike apo ndonjë pale tjetër e interesit”, ka thënë ai.
Kandidat për kryetar të komunës së Podujevës, janë: Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, në komunën e Podujevës, LDK-ja kishte fituar me një diferencë të vogël nga Lëvizja Vetëvendosje.
LDK në këtë komunë kishte fituar 38.60 për qind apo 12 mijë e 877 vota, duke e lënë pas Lëvizjen Vetëvendosje me vetëm 2000 mijë vota më pak.
Ish- kryetari Veliu ka qenë kryetar i Komunës së Podujevës në vitet 2010-2013, 2014-2017 dhe 2017-2020.
Gjatë vitit 2000-2002 dhe 2002-2004 Agim Veliu ka qenë kryetar i Kuvendit Komunal të Podujevës.
Kurse për tri vite nga viti 2004-2007, Veliu ka udhëhequr me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Aktualisht Veliu mban edhe pozitën e kryetarit të Asociacionit të Komunave të Kosovës./FaktePlus