Heronjtë e harruar – shtatoret e tyre në gjendje të mjerueshme (VIDEO)
Secila prej tyre mban në vete një histori të lavdishme nga e kaluara e vendit, dhe është tregues për sakrificën e kontributin e dhënë për ngritjen e një shteti të ri e të vogël siç është Kosova.
E për ndërtimin e tyre janë shpenzuar mijëra euro të shtetit, por komuna e udhëhequr nga Shpend Ahmeti për mirëmbajtjen e tyre nuk po bën asgjë, siç duket nuk po e shpenzon asnjë cent.
Ani pse kohë më parë ka pasur diskutime për një ligj i cili do t’i obligonte institucionet në mirëmbajtjen e tyre, një gjë e tillë nuk ka ndodhur akoma.
Kështu pothuajse të gjitha këto shtatore të heronjve e personaliteteve të rëndësishme të kombit kanë mbetur nën mëshirën e fatit. Ato janë pa ndriçim e askush nuk i pastron. E kjo gjendje ka ndikuar edhe në uljen e numrit të vizitorëve.
Drejtuesit e institucioneve shtetërore po vazhdojnë që për këto shtatore të kujtohen vetëm në rast të ndonjë përvjetori të rëndësishëm.
Njëjtë ndodhi me shtatoren e ish- presidentit amerikan Bill Klinton në lagjen “Dardania” në Prishtinë, e cila u pastrua vetëm pak ditë para ardhjes së tij gjatë këtij viti në Kosovë.
Kurse shtatores tjetër e cila ndodhet në Kampusin Universitar “Hasan Prishtina” i mungon edhe emri. Kjo është shtatorja e Fehmi Aganit, njërit prej kontributdhënësve më të mëdhenj të shtetit si politikan dhe sociolog.
E në gjendje jo më të mirë janë edhe ajo e Skënderbeut dhe Ibrahim Rugovës, që ndodhen në zemrën të kryeqytetit. Edhe këto shtatore nuk kanë fare mirëmbajtje.
Pastrimi i tyre mund të bëhet vetëm në rast se pastruesit kujtohen gjatë kohës kur janë duke bërë pastrimin e sheshit.
E fatin e njëjtë si të gjitha shtatoret tjera e ka edhe Parku “Heroinat”, park i cili tregon kontributin dhe sakrificën e grave shqiptare gjatë kohës së luftës në Kosovë.
E për këtë gjendje komuna e Prishtinës arsyetohet duke thënë se nuk ka ligje për mirëmbajtjen e tyre.
“Mirëmbajtjen e shtatorëve dhe busteve në Prishtinë e bën Drejtoria e Shërbimeve Publike, në kuadër të punëve që i ka nën kompetencë. Përjashtim bën shtatorja e “Ismail Qemajlit” dhe “Fehmi Aganit”, mirëmbajtja e të cilave është nën kompetencë të institucioneve ku janë të vendosura”.
E për fatin e mirë të saj e vetmja shtatore e cila ka kujdestar është ajo e Shën Terezës. Këtë shtatore me vetëiniciativë një zotëri i shtyrë në moshë, e pastron për çdo ditë, si shenjë respekti për të mirat që Nënë Tereza ka bërë për Kosovën./FaktePlus