Heqja e taksës, paralajmërohen trazira e protesta në Kosovë – VIDEO

Kanë kaluar më shumë se një vit që kur qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj ka vendosur taksën 100% për produkte të cilat vijnë nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.
E kjo ngriti reagime të shumta të ndërkombëtarëve, mirëpo me ardhjen e Albin Kurtit në krye të Qeverisë ekziston mundësia që kjo taksë të hiqet dhe të zëvendësohet me masën e reciprocitetit.
E zëvendësimi me masën e reciprocitetit po përkrahet edhe nga qytetarët e Kosovës.
Njohësi i çështjeve politike Rrahman Paçarizi, po thotë se heqja e taksës mund të shoqërohet me trazira në Kosovë.
“Është e gabueshme qasjen e kryeministrit Kurti që po e proklamon në vazhdimësi Albin Kurti, reciprociteti nuk është diçka që duhet të shpallet, por është diçka që duhet të jetësohet në vazhdimësi, pasi që shpallja mund ta dëmtoj pozicionin e Kosovës në tavolinën e bisedimeve. Taksa ka mbërri efektin e vet pasi që njerëzit janë mësuar pa produktet e Serbisë gjithashtu edhe bizneset kanë gjetur mënyra tjera zëvendësuese për produktet Serbe. Një vetëdije qytetare do ta bënte taksën krejtësisht të panevojshme, dhe Kosovës do t’i hiqej ky vendim i cili ka një vit që po i rrinë Kosovës si një lak në qafën e saj. Letra e zotit Haradinaj për Albin Kurtin ishte një paralajmërim se mund të ketë një kundërshtim të fuqishëm dhe një rezistencë në rast se hiqet taksa pavarësisht nëse vendoset masa e reciprocitetit ose jo. Mendoj se opozita ka një potencial të mjaftueshëm për të shkaktuar trazira në Kosovë gjë që mund t’ia vështironte jetën qeverisë Kurti, por edhe do të mund të shkaktoheshin telashe në planin ndërkombëtarë nëse vërtet prapa saj qëndrojnë SHBA-të”, tha Paçarizi.
Kurse, Safet Gërxhaliu, për FaktePlus tha se taksa nuk do të duhej të vendosej asnjëherë, ose do të mbetemi të izoluar edhe më tej.
“Kjo taksë ka qenë më tepër populliste, e ngjyrosur politikisht dhe e paargumentuar ekonomikisht, në këtë drejtim besoj se ka qenë një dëm në ekonominë kosovare, ka qenë një dëm për diplomacinë kosovare dhe një mekanizëm i izolimit për qytetarët e Kosovës, sepse nuk mund të ketë zgjidhje të problemeve pa dialog, dhe nëse dialogu nuk është në funksion të ndërtimit të ardhmërisë do të mbetemi edhe më tej të izoluar”, ka thënë më tej Gërxhaliu .
Tutje analistët kanë thënë se Kosova mund edhe të shpërblehet me liberalizim nëse largohet taksa 100%, por nuk duhet të jetë ky një kusht për liberalizim pasi që, Kosova tashmë ka realizuar të gjitha kushtet për liberalizim.
Dimë se për taksën kanë reaguar ashpër edhe opozita duke thënë se, heqja e taksës nënkupton dorëzimin e Kosovës ndaj Serbisë.