Haziri tregon se kush është i pakontestueshëm në LDK për President (VIDEO)
Dy partitë fituese të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës menjëherë pas zgjedhjeve patën paralajmëruar se shpejt e brenda pak ditësh do të arrijnë marrëveshjeje për bashkëqeverisje, por u deshën katër muaj që të konkretizojnë një marrëveshje koalicioni.
E gjithë këto zvarritje erdhën pasi grupet punuese të dy partive kryen gjithë punën për harmonizimin e programit të përbashkët qeverisës. Ngecjet ndodhën atëherë kur bëhej ndarja e posteve qeveritare dhe më shumë pati problem me postin e presidentit të vendit.
Duke mos arritur një marrëveshje, më 26 dhjetor 2020, është konstituuar përbërja e re e Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i Kuvendit është zgjedhur Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ky veprim, sipas zyrtarëve të LDK-së e ktheu situatën në pikën zero për sa i përket një marrëveshje për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi që pjesë e marrëveshjes për koalicion ishte planifikuar të ishte edhe pozita e kryetarit të kuvendit.
Kështu negociatat ngecën deri në fund të muajit janar dhe pasi lëshoi pe LVV, duke lënë postin e kryekuvendarit për LDK-në, më në fund arrihet marrëveshja.
Por, koalicioni u arrit e çështja e postit të presidenti mbeti pa u sqaruar mirë.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri në një intervistë për FaktePlus thotë se tani për tani nuk do të flitet për këtë temë, porse kur të vjen koha kandidati për president do të jetë nga radhët e LDK-së.
“Për vendet e zëna mos të flasim tash, unë edhe ashtu kam thënë dhe më herët duhet me largu frikën e dështimit të zgjedhjes së presidentit. Ne jemi të sigurt që e kemi larguar këtë. Liderët në deskrecion kanë me vendos për një kandidat që vjen nga radha e LDK-së për president dhe që është i pranueshëm për opozitën dhe të gjithë njerëzit, sepse ndryshe ne nuk mundemi me zgjedh”, tha Haziri për FaktePlus.
Edhe në këtë rast, Haziri ka ritheksuar se shefi i tij aktual i partisë është kandidati i pakontestueshëm për president.
“Kam thënë, se nëse nesër janë zgjedhjet për president, Isa Mustafa është kandidat i pakontestueshëm nuk bisedohet. Emër tjetër nuk kemi lakuar asnjëherë. Por zgjedhjet nuk janë nesër dhe ai ka kërkuar që të mos diskutohet as emri i tij dhe as i të tjerëve. Kjo çështje është e mbyllur besoj deri në shkurt të vitit të ardhshëm. Mendoj që nuk duhet me u bisedu për çështje të presidentit”, tha.
Megjithatë, me shkuarjen e Mustafës në Presidencë, LDK duhet të zgjedh edhe kryetarin e ri të partisë.
Kështu duket se nuk do të shkojë edhe shumë gjatë dhe zhvillime të reja do të ndodhin në vend. Kjo pasi Lufti Haziri konfirmon se ka hequr dorë nga gara lokale në Gjilan, ndërsa ka lënë të nënkuptohet se po bëhet gati të merr poste të rëndësishme në Prishtinë.
“Natyrisht që nuk do të jem më kryetar. Është mandati jem i katërt, nuk besoj që ka pas në Gjilan kryetar me mandat më të gjatë. Tash po e kryej edhe këtë mandat katërt timin. Gjilani më ka bërë nder se më ka bërë kryetar 29 vjeç dhe ka besuar dhe unë ia kam pas borxh me ia kthy me punë”.
Haziri në një bisedë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ka treguar se a ka ambicie për të marrë drejtimin e partisë dhe në çfarë mënyre.
“Ky është proces krejt i ri. Janë zgjedhje krejt të reja. Unë i favorizoj gjithmonë marrëveshjet politike, nuk favorizoj në asnjë mënyrë forma dhe metoda tjera. Demokracia e brendshme do të zhvillohet në përputhje me standardet që i kemi ndërtuar ne deri tash, do të zhvillohet edhe më shumë por marrëveshjet politike janë ato që i japin zgjidhje gjithmonë gjithçkaje”, shprehet ai.