Haziri për koalicionin me PDK-në: Vetëm në televizor mund të na shohin
Lutfi Haziri shprehet i bindur se me listën për deputetë që do ta përfundojnë deri te premten, në krye me Vjosa Osmanin, do të dalin fitues në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit. Në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka treguar si erdhi deri të nominimi i Vjosa Osmanit, si kandidate për kryeministre nga LDK-ja, pse u tërhoq ai nga gara dhe mospajtimet që ka pasur me kolegen e partisë për tema të ndryshme.
Hairi ka mohuar kategorikisht se e përkrahu kandidimin e Osmanit, me kushtin që ai të marrë drejtimin e LDK-së pas përfundimit të mandatit të Isa Mustafës.
Haziri flet edhe për koalicionin me Vetëvendosjen, arsyen pse nuk u arrit para zgjedhjeve dhe mundësinë që LDK e VV të bëjnë koalicion pas zgjedhjeve.
Derisa, nënkryetari i LDK-së tregon edhe pse i kanë vënë vijë të kuqe bashkëpunimit me PDK-në, qoftë para apo pas zgjedhjeve.
FaktePlus: z. Haziri deri në fund të kësaj jave është afati për dorëzimin e listave me kandidatë për deputetë, a e ka finalizuar listën LDK-ja?
Haziri: Shtabi zgjedhor i LDK-së tash është duke koordinuar të gjitha aktivitetet me degët, me strukturat apo politikën strukturore siç e quajmë. Kemi finalizuar propozimet, nominimet dhe kandidaturat prej komunave. Po presim tash t’i finalizojmë nominimet dhe kandidaturave prej grupeve dhe sektorëve që përfaqësojnë politika sektoriale dhe sukses në Republikën tonë dhe në fund besojmë shumë që LDK-ja të premten do të dal me një listë fituese, një ekip i madh i LDK-së i cili do të mbështetë kandidaten e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, për t’i fituar zgjedhjet e 6 tetorit.
FaktePlus: Sa është numri i propozimeve dhe si do të bëhet seleksionimi i tyre për t’i futur në listën zgjedhore?
Haziri: Përtej kësaj, ne kemi 126 anëtarë në Këshillin e Përgjithshëm të cilët natyrisht në koordinim edhe me degët tona dhe me grupet përfaqësuese janë duke punuar për të marrë nominime ose të bëjnë nominime të reja. Por, LDK-ja i ka kriteret jashtëzakonisht të mira për nominim. Ne kemi kërkuar që femra të jetë të përfaqësuar duke përcjell nominimin e kandidaturës së Vjosa Osmanit për kryeministre, që të jenë të rinjtë më shumë të përfaqësuar, që të jenë autoritete, njerëz, burra e gra që politikën tonë e kanë përtej kërkesës politike, e kanë atdhe, e kanë sakrificë dhe e kanë shtet të cilin investojnë për të shkaktuar ndryshim në këtë vend. Kosova hyn në një fazë të re, në një dhjetë vjeçar të ri, për të cilin ne do të punojmë shumë që shteti të bëhet me dije, të ruhet me nderë dhe shteti të zhvillohet në parimin e mikut të mirë dhe miqësisë së përhershme me ShBA-në dhe me kulturë perëndimore.
FaktePlus: Përmendet kritere, cilat janë ato që do t’i aplikojë LDK-ja në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë?
Haziri: Detyrimisht LDK-ja e ka një listë përfaqësuese. Burra, gra dhe njerëz me autoritet që përfaqëson suksesin, që për CV e ka suksesin, që përfaqëson besimin në shtet, në familje e në Zot. Sepse ky shtet, kjo republikë e re është nëpërkëmbë, është nëpërkëmbë jo vetëm dinjiteti i qytetarit, por edhe aspirata. Sot Kosova nuk është as më e lirë si republikë, as më sovrane si shtet e as më demokratike si sistem politik. Duke vendosur këto si tri shtylla që LDK-ja dhe populli i saj në ecjen 30 vjeçare ka arritur me qenë themeluese e këtij shteti, natyrisht që neve na bie të jemi gardianët të mbrojtjes dhe lirisë së vendit tonë dhe sovranitetit të Republikës edhe të zhvillimit të demokracisë. Pse është demokracia e rrezikuar, sepse Kosova po pretendohet të orientohet në kulturë të lindjes në mënyrën se si udhëheq shtetin. Ndërsa, kultura perëndimore e LDK-së që demokracia e zhvilluar dhe kompromisi e marrëveshja janë të vetmet instrumente që ne aplikojmë për zgjidhjen e problemeve, për rrugën politike që duhet të kemi që qytetari është vendimmarrës përmes deputetit, që ministri është shërbëtor i qytetarit, të zëvendësohet me autokracinë, ku autoriteti, ku individi, ku ai vendosë për parti, ai vendos për shtet, ai vendos për të ardhmen tonë. Populli e ka kuptuar që ky diskurs i ri që po duan disa parti t’i instalojnë në Kosovë është më e rrezikshme se sa mos normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, apo probleme tjera që kemi sot.
FaktePlus: Cilat janë këto parti z. Haziri që po e orientojnë Kosovën kah lindja?
Haziri: Po merreni dhe shikojeni mënyrën se si zgjidhen, mënyrën se si lëvizin, ecin, punojnë, deklarohen. Dhe mënyrën se si funksionon sistemi i tyre politik. Se, fundja ashtu siç e kanë partinë politike, ashtu e shohin edhe shtetin. Partinë e kanë bërë të vetën, e kanë bërë private, shumica prej tyre dhe shtetin po pretendojnë të na bëjnë privat. Nuk mundën, ky shtet është i njerëzve të Kosovës, është i qytetarëve të Kosovës, është i shumicës dhe i pakicës që jetojnë në Kosovë. Shumicës politike dhe etnike që jetojnë në Kosovë e cila është shqiptare dhe pakicat që janë diversitet që ia shtojnë vlerën jo vetëm etnike e kulturore Kosovës që jetojnë në tolerancë.
FaktePlus: A do të ketë në listën e LDK-së kandidatë me aktakuza apo që kanë probleme me ligjin?
Haziri: Ne kemi vendosur kriteret. Në LDK nuk kemi telashe të tilla, pa përmendur, pa nënvizuar asgjë tjetër. Parimet që kemi vendosur ne janë parimi i derës së hapur, është parim i komunikimit me qytetarë. Parimi i duarve të pastra është parimi i qeverisjes me qytetarin. Kështu që të gjitha këto parime kërkojnë që figurat mund të jenë të reja, mund të jenë zonja, mund të jenë burra, por janë emra që iu kanë nënshtruar të gjitha këtyre parimeve për të dhënë shembullin e mirë që gjithmonë LDK-ja e bënë dallimin nga të tjerët. Ne dallohemi nga të tjerët për këtë dhe këto angazhime, dallohemi për demokraci të brendshme, dallohemi për tolerancë, dallohemi për durimin politik, dallohemi për përballimin e kërkesave të brendshme dhe për përballjen e problemeve të brendshme në interes të atdheut e të republikës. Sa herë që është dashur të jetë LDK-ja pjesë e vendimeve të rënda, vështira, pjesë e vendimeve historike. LDK-ja ka prirë me tolerancë, me mirëkuptim, ka krijuar hapësirë për të tjerët, i ka futur në shtëpinë e vet gjitha ata që kemi besuar se mund ta japin kontributin e vet. Të tjerët e kanë kulturën e tyre politike që ne ua respektojmë, e kanë mënyrën se si punojnë, format politik, që ne ua respektojmë, por ne nuk lejojmë që ajo të bëhet pjesë e kulturës së Republikës, nuk lejojmë që ajo të bëhet format i republikës sonë. Ne sot kemi raporte të tensionuara me partnerët evropian, me aleatin me të madh ushtarak, NATO-në, raporte të tensionuara me miqësinë e përhershme që kemi synuar, ShBA-në, për shkak të moskoordinimit të mjaftueshëm. Sepse nuk mundesh me qenë mik i mirë me evropianët, nëse ki problem korrupsionin, krimin e organizuar, nuk mundësh me qenë mirë me qeverinë amerikane nëse krimi, korrupsionin dhe mos zbardhja e krimeve të luftës është problem serioz. Nuk mundësh me qenë mirë me NATO-n nëse nuk e subordinon politikën dhe nevojën e sigurisë përtej Kosovës. Presidenti Rugova thoshte se Zoti, Amerika dhe partnerët evropian janë ata që popullin e Kosovës e kanë ruajtur nga zhdukja, nga eliminimi fizik, nga pastrimi etnik, ku Kosova kishte mbetur pa banorë. E kujt i duhet toka pa banorë. Ka ardhur koha që 20 vjet në liri Kosova është e rrezikuar të mbes pa banorë për shkak të ikjes së njerëzve. Kosovën sot e kërcënon ikja e heshtur e të rinjve, ikja e njerëzve dhe grupeve të rinjve për jetë me të mirë sepse është ngulfatur shpresa. Me unitetin e LDK-së me 3 gusht dhe me kandidimin e Vjosës dëshirojmë të kthejmë shpresën tek këta të rinj, tek këta njerëz, qytetarët e Kosovës, se kjo republikë duhet të mbrohet vetëm në këtë mënyrë.
FaktePlus: Cila do të jetë oferta e LDK-së për qytetarët në zgjedhjet e 6 tetorit, çfarë do të përfitojnë qytetarët nëse LDK fiton me Vjosën kryeministre?
Haziri: Unë thash dhe po e nënvizojë po e shohin shtetin si partinë e tyre, nuk munden dhe le ta harrojnë se mund ta shohin Kosovën dhe popullin e saj dhe republikën sikur pronë të partive të tyre që i kanë. Kjo është përtej asaj, sepse LDK do të jetë gardian, mbrojtje e vlerave kryesore. Vjosa Osmani do të ketë rast të sqarojë edhe në median e juaj sepse fushata ende nuk kanë filluar. Takimi me qytetarë, pritja që po i bëhet në mënyrë spontane dhe afrimi i njerëzve përskaj LDK-së tregon se është ndërtuar raporti i besimit me kandidaten tonë. Unë jam i autorizuar dhe flas vetëm për rolin e LDK-së në këtë fazë, LDK-ja siguron qytetarët përmes shembullit të saj. Ne kemi ndërtuar unitetin tonë në një kandidate që përfaqëson politikat qeveritare nesër, do t’i qëndrojmë mbrapa sepse ajo mundet t’i zbatojë ato politika. Do të jemi luftëtarë të pakompromis të dukurive negative, duke kthyer shpresën në këtë vend.
FaktePlus: Kur jemi te kandidatja për kryeministre, z. Haziri si erdhi deri të përcaktimi për Vjosa Osmanin?
Haziri: Ka qenë debat i brendshëm prej zgjedhjes së kryetarit Isa Mustafa, ne kemi pasur debat të brendshëm. Pesë kandidatura të nxjerra nga kryetari i LDK-së dhe nga kryesia e LDK-së kemi ardhur në dy, njëri nga emrat kam qenë edhe unë. Por në fund në kuadër të kritereve dhe parimeve që kemi vendosur dhe vet angazhimi tim personal me mbështetjen absolute që ia kam ofruar ne kemi dal me një emër i cili është konsensual për të gjithë neve, për të gjitha strukturat, për gjithë njerëzit, burrat dhe gratë, rininë, ia kemi dhënë mbështetjen e plotë dhe këtu nuk ka asnjë lloj dyshimi që ne për dallim prej tjerëve njëshi nuk e ka vendosur, por e ka vendosur ekipi.
FaktePlus: Pse u tërhoqët ju, çfarë ju shtyri?
Haziri: Nuk është tërheqje, sepse unë jam komod në pozitën që kam, detyrën që e kam tash e 30 vjet. Kam hyrë si i ri, 18 vjeçar në këtë rrugë dhe unë kam besim, LDK-në e kam ideologji, e kam besim dhe këtë besim ia kam dhënë dhe LDK-ja ma ka kthyer një milion fish, sepse me ka besuar të kandidoi për kryetar komune 28 vjeç dhe jam zgjedhur, katër herë si i nominuar i LDK-së për kryetar komune, po ashtu edhe sot, me ka dominuar dy herë për deputetë dhe jam zgjedhur, jam zgjedhur zëvendëskryeministër në moshën me të re, 34 vjeç, kam qenë ministër në dy qeveri, kam shef i grupit parlamentar dhe kryetar i Komisionit për Integrime Evropiane, kam themeluar Ministrinë e Pushtetit Lokal, kam themeluar edhe administratën e Gjilanit, kam përfaqësuar LDK-në në shumë organizata ndërkombëtare, në Uashington, Londër, Paris, ky besim i madh që ma ka dhënë LDK-ja ta përfaqësoj nuk mund të shpaguhet. Kjo ka qenë arsyeja të nxjerrim një kandidate si Vjosa e cila këtë besim të LDK-së do ta kthejë me punë, me lojalitet, do ta kthejë me angazhim maksimal edhe si fituese e zgjedhjeve edhe si kryeministre nesër, sepse LDK-ja ta ka besuar dhe me 6 tetor ky besim për katër vjet duhet të shpaguhet, t’iu kthehet njerëzit, populli.
FaktePlus: Megjithatë, ju gjithmonë keni qenë ithtarë i marrëveshjeve brenda partisë, qoftë kur është zgjedhur kryetari por qoftë edhe për vendime tjera. A ka qenë kjo marrëveshje që ju të merrni drejtimin e partisë dhe Vjosa të jetë kandidate për kryeministre?
Haziri: Në asnjë mënyrë, nuk jam ithtarë i kushtëzimeve në politikë, as në jetë. Jo, ajo është marrëveshje e kushtëzuar me dy ose tri vjet, është sikur puna e martesës, ose le të themi nuk ka gjysmë shtatzëni. Marrëveshja politike për mua është kulturë pune, e cila e ruan demokracinë si instrumentin e vetëm vendimmarrës dhe e ndërton kulturën e punës brenda duke u bazuar në debat, durim, dëgjim sepse duhet të dëgjohen të gjitha palët dhe të gjitha kërkesat dhe vjen në një qëndrim, sepse fundja përmes votës përfundon krejt ky proces. Shumë më mirë është ta përfundosh me konsensus sa më të gjerë të mundshëm, e një shumicë me të madhe, se sa me u marrë me eliminim politik. Sepse kur dy njerëz ose tre, hyjnë në gara të ashpra, dhe kjo është kultura lindore që po donë të instalohet, në autokraci kjo është rrezik, çdo kush që e eliminon të parin eliminohet politikisht, përzihet prej familjes, përzihet prej atdheut, detyrohet të kërkojë azil politik, e azili politik nuk ka nevojë më ikë më prej Kosovës. Njerëzit po kërkojnë azil politik në parti tjetra. E ke parë se si pampers politika është duke ndodhur. E merr e fut në parti, e futë në listë, mbanë dy vjet edhe i thotë ec shko se nuk më sjelle vota, pavarësisht a është elitë kulturore, politike, biznesmen apo çka është. Përdoret për një proces dhe thotë kam menduar që je burrë më i mirë apo grua më e mirë por t’i nuk paske asnjë votë, për çka duhet të mbajë këtu. Kanë filluar partitë t’i shfrytëzojnë njerëzit për periudha të caktuara.
FaktePlus: z. Haziri a e keni marrë mbështetjen e Vjosa Osmanit për ta sjellë vendlindjen e Idriz Seferit në Kosovë, ashtu siç e keni sjellë shtatoren e tij në qendër të Gjilanit, meqë ajo e ka kundërshtuar idenë e shkëmbimit të territoreve?
Haziri: Me lejoni ta konfirmoj edhe për Agjencinë e juaj, kurrë në jetën time nuk kam qenë i hidhëruar me Vjosa Osmanin, as ajo me Lutën dhe kurrë në jetën time nuk kam qenë i hidhëruar me askënd në LDK. Këtu bartmi procese të përbashkëta. Dallimet e vogla në mënyrën se si zgjidhen problemet janë shumë minore t\i nxjerrim sot. Unë vij nga një regjion që nacional demokratët dhe nacional çlirimtarët, bashkë ekzistojnë, koekzistojnë dhe a e dini pse, sepse të gjithë janë vrarë në luftë si kryengritës dhe të gjithë prej tyre nuk kanë mundur të shijojnë lirinë, sepse njihen si kryengritës të parë. Sepse jam mësuar edhe unë, meqë jam nga një familje e tillë e dalur, që liria ju takon të gjithëve, sakrifica i takon një njeriu ose një numri të caktuar të njerëzve por liria u takon të tjerëve. Dhe edhe në këtë rrafsh angazhimi im politik i takon të gjithëve, por ne duhet ta bëjmë sakrificën tonë. Ne nuk jemi duke bërë sakrificë me gjak e mish më, jemi duke bërë sakrificë ta ndërtojmë një marrëveshje, jemi duke bërë sakrificë ta ndërtojmë një konsensus, jemi duke bërë sakrificë ta përballojmë një ego dhe një kërkesë politike. Ne jemi në politikë për aspiratë, por aspirata jonë nuk guxon të ndeshet me aspiratën e qytetarëve të Kosovës.
FaktePlus; A do ta sillni vendlindjen e Idriz Seferit në Kosovë?
Haziri: Unë Idriz Seferin e kam zbrit në qendër të Gjilanit, nuk është vetëm simbolikë. Por Idriz Seferi është kthyer në qytetarin e vet dhe e kam drejtuar në drejtim të vendlindjes së vet ta shoh lirinë e popullit të vet. Idriz Seferi e ka çliruar Shkupin sepse ka qenë kryeqytet i Kosovës në kohën kur ka qenë kryengritës dhe nuk duhet harruar se Shkupi sot është qendër e një shteti fqinjë që kemi marrëdhënie shumë të mira.
FaktePlus: z. Haziri pse vendoset vija të kuqe për PDK-në, derisa nuk arritët të bënit marrëveshje parazgjedhore me Vetëvendosjen, pse?
Haziri: Kryesia e LDK-së dhe Këshilli i Përgjithshëm ka ardhur në një qëndrim përfundimtar duke vlerësuar të kaluarën, jo të afërt, të kaluarën e bashkëpunimit dhe partneritetin me vendos kriterin e mos ndërtimin e koalicioneve para dhe pas zgjedhore me PDK-në, e cila ka rrënuar urat njëanshëm dhe partneritetin njëanshëm. U tregua mosmirënjohëse, është treguar parti që i shfrytëzon momentet për procese të rënda vetëm për procese të vogla politike të tyre. Dhe kjo është pika që kemi vendosur që para ose pas zgjedhore ta favorizojmë Vetëvendosjen për bashkëpunim. Nuk ndodhi parazgjedhore dhe ne presim që të ndodhë në periudhën pas zgjedhjeve. Tash nuk jemi duke punuar për 110 kandidatë si ekip i përbashkët dhe një kandidat për kryeministër, por jemi 220 njerëz duke punuar për dy lista dhe dy njerëz të dominuar për kryeministër. Besojmë shumë se njëri prej neve shumë shpejt do ta kuptojmë që do të fitojmë nominimin përmes votës së qytetarëve dhe atë do ta marrë Vjosa si e drejtë për ta formuar Qeverinë e ardhshëm. Bashkëpunimi me PDK-në as hipotetikisht nuk e kemi në ram, vetëm në televizor mund të na shohin.