Haziri: LDK nuk e voton qeverinë e pakicës
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, ka thënë se qeveria e pakicës nuk ka funskionuar në Kosovë, dhe nuk ka traditë të funskionimit të qeverisë së pakicës në Kosovë.
Sipas tij, LDK-ja duke qenë partia më e vjetër është e vetëdijshme që qeveritë e pakicës nuk i japin zgjidhje proceseve të rënda.
“Nuk ka qeverisje të pakicës, nuk funskionon në këtë vend, as nuk ekzistojnë formulat e qeverisjes teknike”, ka thënë ai.
Ai është shprehur shumë optimist në arritjen e marrëveshjes së koalicionit mes Vetëvendosjes e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Kemi qenë të drejtpërdrejt në bisedime, i kemi mbyllur të gjitha çështjet që na kanë dalluar. Jemi në përpjekje që sonte, nesër e pasnesër t’i realizojmë angazhimet tona”, tha ai, transmeton Koha.net.
Haziri, ndonëse, tërthorazi prapë ka thënë se Kryeparlamentari i takon LDK-së.
“Jemi pajtuar që qeverinë ta udhëheq Vetëvendosja në krye me Kurtin. E LDK-ja, të jetë e fokusuar në përgjithësi në këtë fazë të Kuvendit të Kosovës”, tha Haziri.
“Ne do të vazhdojmë të takohemi. Të bisedojmë e të negociojmë. Të sjellim një marrëveshje që të hënën të kemi qeveri të re. Do të kemi program ambicioz”, tha Haziri./FaktePlus