Haziri insiston që të mos politizohet rasti i Agon Musliut
Kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë thirrje që të mos politizohet rasti i Agon Musliut, por rasti të zbardhet dhe të ketë drejtësi.
“Gjatë gjithë ditës së sotme dhe dje i kemi njoftuar lidhur me veprimet e aktit tragjik të të riut nga Gjilanit, Agon Musliu. Ai është vendosur sipas rregullave të karantinimit dhe nuk është lejuar të trajtohet në vetizolim në shtëpinë e tij, sipas kërkesës së babait të tij”, ka thënë Haziri.
Sipas tij politizimi i rastit nuk e lehtëson këtë tragjedi.
“Natyrisht tash gjithë institucionet po kërkojnë zbardhjen e rastit dhe të mos politizohet. Nuk ka lehtësim në këtë tragjedi nëse politizohet, keqshfrytëzohet emri dhe rasti i tij në emër të zbardhjes së drejtësisë. Drejtësia duhet të zbardhet me mekanizma shtetëror dhe kërkon pak kohë. Ai është djalë i vetëm i familjes së Naim Musliut”, ka thënë Haziri.
Tutje ai ka shtuar ende nuk dihen motivet.
“Akti i vetëvrasjes është i rëndë, dhe nuk bëhet fjalë për diçka tjetër, është vetëvrasje e shtyrë nga karantinimi. Motivet nuk dihen, ato mund t’i zbardhen vetëm organet e shtetit”, ka thënë ai.
Haziri ka shtuar se ekipet mjekësore e civile në Aeroport duhet të tregojnë se si ka ardhë deri të vlerësimi që ai të mos karantinohej në shtëpi, por të dërgohej në Konvikte.
“Babai i tij ka qenë në aeroport dhe ka pas kërkesë dhe është munduar me çdo kusht të kontaktojë me djalin e vet dhe me ekipet por nuk është lejuar. Ka shkuar prej aeroportit tek Konviktet me kërkesën e njëjtë që të takohet dhe ta shpjegojë rastin me dokumente mjekësore në dorë, por nuk ka pasur mundësi me u taku me askënd. Por, kemi të bëjmë me lehtësime që personat që vuajnë me probleme sekondare shëndetësore. Në këtë rastin e Agonit në dosjen përcjellëse ka qenë e përcjellur komplet dosja e kthimit të tij në Kosovë”, ka thënë Haziri në KTV
Ai tutje ka shtuar se ministri Arben Vitia është duke u angazhuar personalisht për zbardhjen e këtij rasti.
“Vet ministri Vitia është përkushtuar që ai me pa dhe me ndihmuar në zbardhjen e rastit deri në fund. Ne nuk po kërkojmë asgjë tjetër pos që në përputhje me rregullat, kriteret e vendosura gjatë kohës së pandemisë, kriteret që nënkuptojnë edhe zbatimin e karantinimit. Masat në karantinë dhe dalja nga karantina duhet të shihen sa janë respektuar dhe cilat kanë qenë rrugët që kanë bërë që Agoni me u nënshtruar për dallim nga të tjerët. Kjo jep me nënkptuar se ka punë për t’u zbardhur rasti deri në fund”, ka thënë Haziri.
Kreu i Gjilanit ka thënë se nuk mund të kalojë papërgjegjësi ky rast, e as edhe rastet e tjera që kanë ndodhur në pandemi.
Sipas tij efektet e pandemisë kanë rritë shqetësimet dhe traumat te njerëzit, kanë rritë pasigurinë për të ardhmen tek njerëzit sepse mijëra njerëz kanë humbur vendet e punës.
“Dhe duke e humbur edhe prespektivën njerëzit kanë filluar të gjejnë mënyra të tjera. Fatkeqësisht ka pasur akte të tentimit të vetëvrasjes, dhe edhe me pasoja fatale, që është pasojë e pandemisë definitivisht. Por, unë nuk e lidhi përgjegjësinë me një emër, as me një autoritet. Kjo duhet të pjesëtohet me të gjithë ata që kanë qenë përgjegjës për organizim, menaxhim, monitorim dhe zbatim të rregullave të karantinimit”, ka thënë Haziri.
Haziri ka bërë të ditur se për pak kohë një ekip shëndetësore nuk ka arritur që ta takojë të gjallë Agonin.
“Ministri Vitia në raport me Gjilanin është treguar korrekt, komunikues e bashkëpunues. Fizikisht ka vizituar Gjilanin bashkë me kryeminisitrin. Ka qenë në komunikim të drejtëpërdejtë çdo ditë me mua, ose ai ose zëvendësministri Sadiku. Për pak minuta nuk ka mundur të mbërrijë ekipi i fundit që është caktuar me e vizituar Agonin, fatkeqësisht, sepse është njoftuar për aktin e vetëvrasjes”, ka thënë Haziri.