Haziri: Fola me Mustafën, pa Veliun s’ka koalicion
Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri ka reaguar pas shkarkimit të Agim Veliut nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme.
Haziri ka deklaruar se janë konsultuar me kreun e LDK’së, Isa Mustafën duke paralajmëruar edhe tërheqjen e kësaj partie nga koalicioni.
“Pas reagimit të kryetarit Isa Mustafa dhe konsultimeve me të, një gjë e di që pa Agimin, s’ka me pasë qeveri me LDK’në”, ka deklaruar Haziri.
Gjatë ditës, kryeministri Albin Kurti e shkarkoi ministrin e Brendshëm, Agim Veliu, pasi që sipas tij, deklarata e tij e mbrëmshme ka shkaktuar frikë te qytetarët sa i përket shtimit të numrit të të prekurve me koronavirus.
Veliu kishte dalë kundër kryeministrit Kurti, i cili nuk e pranoi propozimin e presidentit Hashim Thaçi për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme.