Haziri deputetëve të LDK’së: Edhe kur mendoni ndryshe, votoni si partia
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, pret që nesër deputetët e LDK’së të jenë unik dhe të votojnë për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
Në një bisedë në emisionin “Frontal” në televizionin T7, Haziri ka thënë se deputetët duhet jenë besnikë ndaj partisë që e përfaqësojnë.
“Apeli im, të jenë bashkë. Edhe kur mendon më ndryshe, duhet të jesh me ekipin”, ka thënë Haziri.
Ai ka pasur një kërkesë edhe për kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.
“Besoj se Vjosa fjalën e vet që e ka thënë brenda LDK’së do të thotë edhe nesër. Nuk duhet të lejojmë që, për hesapet e dikujt, shtëpia jonë politike të kërcënohesh nga askush”, ka thënë Haziri.
I pyetur se a do të rrëzohet nesër Qeveria Kurti, Haziri ka dhënë një përgjigje interesante.
“Nuk është mirë të bëhet kjo pyetje në ditëlindje të kryeministrit, duhet ta lëmë të festojë me familje ditëlindjen e tij”, ka thënë Haziri.