Haxhiu: Uroj që protesta e qytetarëve nëpër ballkone t’u shkojë në vesh politikanëve të papërgjegjshëm
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se uron që protesta e qytetarëve të Kosovës në shenjë revolte për shkak të situatës politike të krijuar në vend, t’u shkojë në vesh politikanëve të papërgjegjshëm.
“Protesta e qytetarëve nëpërmes zhurmës në ballkone, uroj t’ju shkoj në vesh politikanëve të papërgjegjshëm të cilët nuk ia duan të mirën vendit e qytetarëve, pikërisht atyre që nuk e duan zhvillimin e drejtësinë në vend”, ka shkruar ajo.
Ndryshe, një protestë jo e zakonshme ka ndodhur në orët e mbrëmjes së sotme, në Prishtinë ku qytetarët kanë dalë nëpër ballkonet e tyre për të protestuar ndaj politikanëve të Kosovës.
Në protestën e cila ka zgjatur 5 minuta, qytetarët kanë krijuar zhurmë me mjete të ndryshme të cilat nuk janë të rrezikshme si (çelësa ose tenxhere dhe lugë) për të kërkuar reflektim nga të gjitha partitë politike dhe udhëheqësit institucional në Kosovë ndaj situatës së krijuar dhe panikut që është duke e përjetuar çdo shtetas i Kosovës.