Haxhiu tregon si e zuri studentin e Mjekësisë duke kopjuar (Foto)
Dukuria e kopjimit nga ana e studentëve gjatë mbajtjes së provimeve, vazhdon të mbetet shumë shqetësuese. Bekim Haxhiu, profesor në Universitetin e Prishtinës, ka treguar sot se çfarë metoda praktikojnë studentët për të kopjuar në provime.
Ai përmes rrjetit social Facebook ka dhënë hollësi edhe me fotografi se si e zuri studentin duke kopjuar.
Në foto shihet dora e një studenti ku në orën e tij të mençur kishte shkruar përgjigjet për pyetjet e privimit.
“Mos kopjo! Mëso! Nesër do të dilni para pacientëve me njohuritë që keni mësuar, jo me orë e telefona të mençur me të cilët kopjoni! Këtë metodë të kopjimit e kam hasur në këtë afat të provimeve, tek një student gjatë mbajtjes së provimit në Fakultetin e Mjekësisë në Departamentin e Fizioterapisë”, ka treguar Haxhiu.
Dukuria e kopjimit nga ana e studentëve vazhdon të jetë e pranishme në të gjitha universitetet, ku studentët përdorin metoda të ndryshme për të kopjuar.
Ekspertët e fushës së arsimit duke komentuar më parë rastet kopjimit kanë thënë se përveç mungesës së kritereve dhe monitorimit më rigoroz nga profesorët, kopjimi tregon edhe mungesën e përkushtimit të studentëve për dije.
E sipas një anketimi të kryer më parë nga instituti “EdGuard”, rezulton se rreth 27% e studentëve e pranojnë edhe vetë se një numër i madh i tyre kopjojnë./FaktePlus