Haxhiu thotë se së shpejti do të ketë zgjedhje: Çka ka marrë fund me 6 tetor nuk mund të rikthehet
Tashmë Kosova e ka qeverinë e re në krye të së cilës është kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.
Pas votimit të Qeverisë Hoti, ka reaguar ish-minsitrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu që vie nga radhës e Vetëvendosjes.
Ajo përmes një shkrimi në profilin e saj në ‘facebook’ ka shkruar se “Nga 3 shkurti e deri më sot, është periudha gjatë të cilës kishim vetëm një detyrim – vënien në jetë të ndryshimit për të cilin kishin votuar qytetarët dhe të cilin e prisnin ata”, përcjellë FaktePlus.
Krejt në fund të statusit të saj Haxhiu ka thënë se çka ka marrë fund me 6 tetor nuk mund të rikthehet por dhe se çfarë është bërë gjatë qeverisjes së Kurtit do të jetë referencë për zgjedhjet e ardhshme të cilat sipas saj do të jenë të shpejta.
Postimi i plotë i Haxhiut:
Nga 3 shkurti e deri më sot, është periudha gjatë të cilës kishim vetëm një detyrim – vënien në jetë të ndryshimit për të cilin kishin votuar qytetarët dhe të cilin e prisnin ata.
Sado kohës, u dëshmua se kurrë nuk është shkurt për të bërë punë të mëdha me nder dhe integritet. Kjo, padyshim që nuk do të ishte e mundur pa punën e palodhshme të stafit të Ministrisë dhe kabinetit tim dhe për këtë ju jam falenderuese!
Këta muaj ishin ndërprerja në mes ciklit të gjatë të abuzimeve dhe korrupsionit dhe ciklit të shkurtër ilegal për të prapakthyer keqqeverisjen. Ne pamë se ndryshimi ishte edhe i nevojshëm edhe i mundshëm për të kthyer institucionet në rolin dhe funksionin që duhet të kishin – shërbimit ndaj qytetarëve dhe mbrojtjes së interesit shtetëror.
Çka ka marrë fund me 6 tetor, nuk mund të rikthehet, si dhe çfarë është bërë gjatë kësaj qeverisje do të jetë referenca që do të vazhdojmë pas zgjedhjeve të ardhshme të shpejta.