Haxhiu: Instituti për Hulumtim të Krimeve të Luftës duhet të themelohet me ligj të veçantë
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar se sot është mbajtur takimi i parë që qëllim ka përgatitjen për themelimin e Institutit për Hulumtim të Krimeve të Luftës të kryera në Kosovë dy dekada më parë.
“Në parim konsiderojmë që është me rëndësi që instituti të krijohet me ligj të veçante dhe jo përmes vendimit”, është shprehur Haxhiu.
“Kosova në 2011, gjegjësisht Qeveria ka krijuar Institutin për Krime Lufte por i njëjti nuk është mbështetur me kapacitete. Në 2018 me miratimin e rregullores së brendshme i njëjti institut është shuar. Ideja është që të jetë me ligj pavarësisht që kanë kaluar 20 vjet. Është koha e fundit kur duhet të trajtohen seriozisht krimet e luftës”.
Në konferencën për media Haxhiu ka thënë se Kosova ka vetëm tre prokurorë që merren me trajtimin e lëndëve të krimeve të luftës.