Hasani: ShBA-ja s’do ta imponojë zgjidhjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
Letrat e presidentit të ShBA-së, Donald Trump, për presidentët e Kosovës dhe të Serbisë janë inkurajim për arritjen e një marrëveshjeje në mes të palëve, por jo që ajo domosdo të jetë copëtimi i Kosovës ose ngjashëm, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, profesori i të Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ai nuk e përjashton mundësinë që ideja për ndryshim të kufijve të jetë në tavolinën e bisedimeve, por sipas tij, është gabim që të rihapet çështja e kufijve, përgjithësisht në Ballkan.
– Profesor Hasani, dialogu i Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë tash për tash duket se ka ngecur. A prisni rifillimin e këtij dialogu, për të cilin thuhet se do të jetë në fazën përfundimtare dhe a ka shenja se kur mund të fillojë?
– Unë nuk e kam të qartë se kur mund të rifillojë, meqenëse ajo varet kryesisht nga dinamikat e brendshme në Kosovë, por edhe në Serbi, të cilat, veçanërisht në Kosovë, shihet që kanë marrë një kahe, që nuk është bash e kënaqshme, meqenëse shihet qartë se nuk ka një pajtim as të përafërt të konsensusit mes forcave politike, sa i përket formës dhe përmbajtjes së dialogut.
– A prisni që të ketë një përafrim qëndrimesh të spektrit politik?
– Unë nuk pres, meqenëse çështja kryesore që është nisur, është nisur gabim dhe është futur copëtimi i Kosovës si variant, i ashtuquajtur i dhimbshëm, përkatësisht si levë ndikimi ndaj Serbisë për të fituar disa koncesione sa i përket shtetësisë së Kosovës. Ky fakt ka bërë që partitë që përfaqësojnë pjesën dërmuese të popullsisë së Kosovës, të kenë rezerva serioze. Kjo do të thotë është nisur mbrapsht, sa i përket mënyrës dhe përmbajtjes të konsensusit që pritet të arrihet dhe kjo ka shkaktuar frikë edhe te forcat kryesore politike, por edhe te qytetarët e zakonshëm.
– Profesor Hasani, si i vlerësoni letrat e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump për të dy presidentët, të Kosovës dhe Serbisë?
– Ajo është inkurajim për arritjen e një marrëveshjeje në mes të palëve, por që nuk thotë atë që e thonë akterët kosovarë që duhet domosdo të jetë copëtimi i Kosovës dhe ngjashëm. Do të thotë inkurajim për të gjetur një zgjidhje dhe është shenjë e mirë, sepse sigurisht Kosova ka një problem të hapur me Serbinë, të cilin duhet ta adresojmë dhe janë naivë ata që besojnë që anëtarësimi eventual dhe konsolidimi i plotë i shtetësisë, hipotetikisht dhe teorikisht, shembull në OKB – sepse këta po e marrin OKB-në si parametër, që Serbia do ta lë Kosovën rehat dhe do të sillet si një shtet fqinj. Do të ishte naive dhe është naive për ata që e besojnë një gjë të tillë.
– A prisni përfshirje më të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikë në procesin e dialogut?
– Të ju them një fakt, edhe çështja e integrimeve evropiane në vitin që vjen, por edhe çështja e involvimit amerikan këtu në rajon – jo vetëm në Kosovë- dhe në Lindjen e Mesme është e një natyre tjetër prej asaj që kemi parë deri më sot. Ajo natyrë është që akterëve lokalë iu lihen punët kryesore që t’i kryejnë, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian pritet të luajnë një rol lehtësues, ndërmjetësues dhe garantues të asaj arrihet në mes të palëve me vullnet dhe jo sikur dikur që është imponuar një marrëveshje – jo vetëm e Dejtonit, por edhe e Rambujesë dhe të gjitha ato që kanë qenë në rajon. Do të ishte paradoks që të ndodhë, që të pritet të ketë ndonjë formë presioni, në kuptim të imponimit të një zgjedhjeje të caktuar, sepse do të ishte një investim i madh, një çmim i madh për çka unë dyshoj. Tek e fundit, Kosova dhe kjo pjesë e Ballkanit, me zgjidhjen e problemit të Maqedonisë (çështja e emrit) dhe rrugës së saj drejt NATO-s, Rusisë nuk i ka ngelur vend për t’i shqetësuar interesat amerikane dhe interesat e tjera perëndimore në këtë pjesë të botës.