Haradinaj tregon se kush janë përfituesit më të mëdhenj nga taksa 100 për qind
Vendosja e taksës 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina ka ndikuar në rritjen e kompanive prodhuese të Kosovës.
Kështu ka ritheksuar të mërkurën kryeministri Ramush Haradinaj gjatë një pritje që i ka bërë në zyrën e tij një prodhuesi kosovar.
“Prodhuesit vendor janë përfituesit më të mëdhenj nga mundësitë që ka krijuar taksa 100 për qind. Dëshmi e kësaj është edhe puna e kompanisë Frutex, prodhues i brendit Golden Eagle me pronar Shaqir Palushi, të cilin e prita sot në takim”, ka thënë Haradinaj.
Sipas tij, kompania në fjalë ka shtuar shitjen prej 30% në muajt e fundit, ndërsa ka rritur eksportin në vendet evropiane dhe në kontinentin Afrikan, me ç’rast edhe ka filluar investimet e reja, si mundësi të krijuara nga rritja e shitjeve dhe profitit.
Duke iu referuar taksës dhe vendimeve tjera, kryeministri Haradinaj theksoi se në këtë vit të ekonomisë, këto parametra, dëshmojnë qartë se Qeveria e vendit duhet të vazhdojë me politikat që fuqizojnë dhe mbrojnë prodhuesit dhe që ndërkombëtarizojnë etiketën Made In Kosova.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës më 6 nëntor, të vitit të kaluar, fillimisht kishte vendosur taksë doganore 10 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Por vetëm pak ditë më vonë, më 21 nëntor të vitit 2018 Qeveria e Kosovës mori vendim dhe taksa doganore u ngrit në 100 për qind.
Nga taksa Serbia ka humbur qindra miliona euro, kurse kapacitetet prodhuese në Kosovë kanë shënuar rritje dhe rrjedhimisht ka pasur ndikim edhe në hapjen e vendeve të reja të punës.
Por, duhet thënë se vendosja e taksës 100 për qind, në anën tjetër ka bllokuar dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi po kërkojnë nga Prishtina zyrtare që të pezullojë këtë taksë, në mënyrë që t’i jepet mundësi vazhdimit të dialogut.
Por, Qeveria e Kosovës, të paktën deri më tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për taksën 100 për qind, e cila vazhdon të mbetet në fuqi./FaktePlus