Haradinaj tregon pse nuk shkon në Samitin e Pragës
Dje Kosova ka anuluar pjesëmarrjen e planifikuar në Samitin i Pragës, mes katër shteteve të Vishegradit dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka treguar pse ishte e pamundur shkuarja në Çeki.
Mediat çeke dje raportuan se refuzimi i Kosovës për të marrë pjesë në takimin e së enjtes, vjen si kundërpërgjigje ndaj deklaratave të presidentit çek, Milosh Zeman, i cili, të enjten e kaluar, kishte deklaruar se dëshiron t’i diskutojë mundësitë kushtetuese që Republika Çeke të tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Mirëpo, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, thotë se Kosova ka hyrë në cikël të zgjedhjeve dhe kjo ia pamundëson atij shkuarjen në Samitin e Pragës.
“Kosova ka hyrë në një cikël të zgjedhjeve të parakohshme dhe angazhimet në këtë kohë të rëndësishme për vendin, kanë pamundësuar pjesëmarrjen time në punimet e Samitit të V4 dhe WB6, nën kryesimin e Republikës së Çekisë. Përmes kësaj letre i kam shprehur falënderimet e sinqerta Kryeminstrit të Republikës së Çekisë, z. Andrej Babis, për ftesën drejtuar Kryeministrit të Kosovës për të marrë pjesë në Samit, dhe çmojmë lartë përkushtimin e Republikës së Çekisë ndaj Ballkanit Perëndimor dhe perspektivës evropiane të rajonit”, ka thënë Haradniaj.
Kryeministri Haradinaj ka shtuar se Kosova do të vazhdojë të jetë kontribuese serioze për paqe dhe stabilitet në rajon dhe ndaj dialogut me Serbinë, i cili do të përfundoj me njohje reciproke, në kufijtë ekzistues.