Haradinaj tregon çka i tha zyrtarit britanik për taksën dhe dialogun
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se me Drejtorin e Përgjithshëm për Çështje Politike në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, kanë biseduar për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.
Kreu i Qeverisë, ia ka kujtuar zyrtarit britanik se Kosova ka folur me një zë rreth dialogut duke votuar platformën dhe ligjin për dialogun.
Edhe një herë kryeministri Haradinaj ia ka kujtuar diplomatit britanik se janë të interesuar për marrëveshje me Srbinë, me njohje reciproke por pa prekur kufijtë.
Statusi i plotë i Haradinajt në Facebook:
Me Drejtorin e Përgjithshëm për Çështje Politike në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, bashkëbiseduam për zhvillimet politike në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor. E vendosur për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon, Kosova është thellësisht e interesuar për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë, në thelb të së cilës qëndron njohja reciproke në kufijtë ekzistues, përfshi kapitullin e tregtisë së lirë. Kosova ka folur me një zë dhe për këtë ka votuar në Kuvend Ligjin dhe Platformën për Dialog, që përfaqëson unitetin e institucioneve tona. Mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe për Kosovën dhe qëndrimin e palëkundur në ruajtjen dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të saj. /FaktePlus