Haradinaj thumbon Kurtin: Po e kërkon krejt pushtetin…kjo është kapje absolute e demokracisë
Kandidati për president nga AAK-ja, Ramush Haradinaj, ka thënë se zgjedhjet e 14 shkurtit janë përcaktuese edhe për demokracinë e brendshme.
Ai, në tubimin përmbyllës në Prishtinë, ka thumbuar Vetëvendosjen dhe sloganin e tyre “Krejt dhe Drejt” duke thënë se tendenca e Albin Kurtit që ta ketë krejt pushtetin është kapje e demokracisë.
“Pse është me rëndësi dhe pse është referendum vota juaj të dielën? Ne do të vendosim edhe për demokracinë tonë të brendshme. Ka shumë rëndësi të vendosim se si do të vazhdojë demokracia jonë. Mos harroni që ne kemi jetuar në monizëm, të pushtuar, sistem të një partie dhe i dimë pasojat e logjikës një partiake”.
“Ne kemi vendosur për një republikë parlamentare – për pushtete të ndara dhe ekuilibër të pushteteve. Këtë e rregullon Kushtetuta jonë. Ne sot po dëgjojmë politikë dhe politikanë që po e kërkojnë krejt pushtetin që i bjen po kërkojnë kontroll absolut. Kjo është kapje absolute e demokracisë tonë të re. Ne nuk kemi rënë në dhimbjet dhe vuajtjet, si vend dhe si popull, në të kaluarën që të arrijmë te demokracia që me e humb sot. Nuk do të lejojmë që të humb demokracia jonë. Do ta mbrojmë”.
Haradinaj ka thënë se ai është përcaktuar që t’i dalë përballë Serbisë duke shtuar se ai ia ka kushtuar gjithë jetën Kosovës, njofton Klan Kosova.
“Ne sot e kemi zgjidhjen se si do të vendosim më 14 shkurt. Unë jam përcaktuar që t’i dalë përballë Serbisë. Në këtë përballje kam përvojë dhe më njihni që gjithë jetën ia kam kushtuar Kosovës. Kam qenë në gjendje çdo herë me punu me secilin. Kam punuar me të gjithë në Kosovë dhe kam punuar me të gjithë jashtë. Kam qenë në gjendje në të njëjtën kohë duke punuar me secilin me e mbrojt Kosovën nga cilido rrezik dhe cilido tjetër qoftë. Kur themi bashkëpunojmë me të gjithë nënkupton që nuk bëjmë kompromise në interes të Kosovës. I sigurojmë Kosovës një president të aftë me siguru unitetin, bashkëpunimin e brendshëm, por po ashtu që të jetë në gjendje që ta mbrojë vendin në etapa të ndjeshme që kemi para vetes”.