Haradinaj thotë se sukseset e qeverisë së tij e frikësuan Vuçiqin
Të gjitha partitë politike garuese për zgjedhjet e 6 tetorit, janë duke i mbajtur tubimet e tyre përmbyllëse të fushatës zgjedhore. Në ditën e fundit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, kreu i AAK-së, njëherit edhe kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj ka përmendur veprimet e tij gjatë kohës së qeverisjes.
Haradinaj ka thënë se presidenti serb Aleksandër Vuçiq, i ka përcjellur veprimet e qeverisë së tij dhe se ai është frikësuar nga to.
Tutje Haradinaj në një video mesazh thekson se sistemi ligjor, taksa, dhe siguria në vend, janë disa nga veprimet dhe sukseset e kësaj qeverie.
“Vuçiq nuk e ka veq për task, që po thotë se me fitu Haradinaj, e patë puna. Ai i ka përcjellë veprimet një nga një. Ai e ka parë që ne e kemi forcuar sigurinë tonë, sepse e kemi krijuar Ushtrinë më të re por është edhe ushtria më moderne në rajon. Nuk ka armik i Kosovës që mundohet me bo punë të këqija për Kosovën pa e marr vesh AKI-ja jonë, mos e harroni këtë. E kemi forcuar edhe sistemin ligjor dhe e kemi forcuar ligjin. Ligji zbatohet në veri, jo më me i qu doganierët me helikopter por shkojnë për toke qysh duhet”, tha Haradinaj në video mesazhin e tij.