Haradinaj thotë se Kosova ofron mundësi për investitorët amerikan
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ia ka paraqitur kryetarit të Des Moines të Iowas, mundësitë që ofron Kosova për investitorët amerikan.
Kreu i ekzekutivit kosovar ka theksuar se janë duke punuar pa ndalur për ta shndërruar Kosovën në storie suksesi për zhvillim ekonomik.
“Përcaktimi ynë, për një miqësi dhe partneritet të përjetshëm me ShBA-të, po dëshmohet çdo herë e më shumë me projekte konkrete, siç është edhe Qyteti Ekonomik Kosovaro – Amerikan, për të cilën, si Qeveri po punojmë në vazhdimësi për ta shndërruar në storie suksesi për zhvillim ekonomik të vendit dhe vlerë të shtuar të partneritetit tonë. Këtë rast unik bashkëpunimi, pata kënaqësinë t’ia paraqes edhe Frank Cownie, Kryetar i Des Moines, Iowa, të cilit i tregova për mundësitë e shumta që ofron Kosova, për investitorët amerikan”, ka thënë Haradinaj, shkruan FaktePlus.
Kryeministri Haradinaj ka shtuar se ka një mori arsyesh për investitorët amerikan që të vijnë në Kosovë për të investuar kapitalin e tyre.
“Baza e mirë ligjore, lehtësirat fiskale, shtrirja gjeografike e Qytetit Ekonomik Kosovaro – Amerikan, resurset natyrore dhe humane dhe infrastruktura rrugore, janë arsye të mjaftueshme për ndërmarrësit e përtej Atlantikut, që të investojnë kapitalin e tyre në Kosovë. Kosova është me fat që ka zhvilluar partneritet të qëndrueshëm me ShBA-të përgjatë viteve dhe dëshmia më e mirë është shteti i Iowas”, është shprehur Haradinaj. /FaktePlus