Haradinaj: Thaçi e Kurti janë dy blloqe që po e dëmtojnë Kosovën
Përçarja në dy blloqe kryesore të faktori politik të Kosovës, po e dëmton Kosovën në raport me Serbinë. Kështu ka vlerësuar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media.
Haradinaj ka thënë se tashmë ekzistojnë dy blloqe me qasje të ndryshme, njëri i prirë nga Presidenti Thaçi e tjetri nga Kryeministri Kurti.
Në bllokun e Thaçit, ai thotë se janë edhe Kadri Veseli, Isa Mustafa, Avdullah Hoti e Edi Rama.
“Një bllok politik është krijuar rreth Presidentit Thaçi, e ku është edhe Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, por edhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Ky bllok politik kërkon heqjen e plotë të taksës, por duke e kërku marrëveshjen finale me Serbinë. Ky bllok politik e vendosë kohën përpara të përmbajtjes së marrëveshjes finale, por po ashtu ajo që është shqetësuese për ne në Kosovë. Kosova s’ka kontroll mbi kualitetin, sepse këtë bllok e udhëheq njeriu i cili e ka përkrah publikisht në vitin 2018 korigjimin e kufrit me Serbinë, gjegjësisht ndarjen e Kosovës, pra Presidenti Thaçi”, ka thënë Haradinaj.
Ndërsa, në bllokun e Kurtit ai ka përmendur të jetë Vjosa Osmani. Sipas Haradinajt, Kurti e Osmani janë ngutur në veprimet e tyre, duke e ofertuar herët heqjen e taksës, si dhe duke tentuar që ta defaktorizojnë SHBA-në në këtë proces.
“Blloku tjetër politik i Kryeministrit Kurti, ku është edhe zonja Osmani, kryeparlamentare nga radhët e LDK-së, përkrah po ashtu heqjen e taksës. Ka ofertu gabim, pa kërku kontratën finale me Serbinë, pa kërku kundërvlerë nga jashtë, me premtim të vendosjes së një reciprociteti joreal. E gjithë kjo bëhet duke refuzu rolin aktiv amerikan, e duke u mbështetë në BE-në për të relativizu një proces të ri dialogimi me qëllim të fitimit të kohës së nevojshme për ta, për të konsolidu pushtetin e brendshëm dhe qëndrueshmërinë e tyre për pushtet. Ky bllok politik e injoron momentumin e krijuar dhe energjinë e re amerikane, duke synuar proces të ri dialogu e jo epilog përfundimtar me Serbinë”, ka theksuar Haradinaj.
Në këtë konferencë, Haradinaj ka thënë se rocesi i marrëveshjes me Serbinë është kompremetu. Për këtë arsye AAK ka propozuar një Konferencë për Kosovën në Prishtinë, ku liderët politikë do të provonin që të dakordonin qëndrimet e tyre lidhur me këtë çështje.