Haradinaj takon Hotin: Ia dhashë besimin e AAK-së për krijimin e Qeverisë
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka folur para mediave lidhur me krijimin e qeverisë së re, si dhe kohës që pritet të marrë ky proces.
Haradinaj ka thënë se fillimisht mandatari duhet t’i konsultojë partitë tjera, nga ku më pas duhet të arrihet marrëveshja.
Sipas Haradinajt, një gjë e tillë nuk mund të marrë kohë më shumë se një javë.
“Taktika është kështu: Mandatari i konsulton partitë tjera. Pasi që arrin një marrëveshje, e formëson atë edhe i thërret të tjerët ta nënshkruajnë. Kjo shkon në disa ditë, nuk mund të marrë më shumë se një javë”, ka thënë ai.
Haradinaj ka folur edhe për postin e presidentit dhe mundësisë që të jetë arritur ndonjë marrëveshje për të, përderisa ka thënë se nuk është diskutuar për një gjë të tillë.
“Askush nuk ka bisedu as për cfarëdo posti. Kam deklaru që nuk marr ndonjë post ekzekutiv. Qëllimin e kam për një kohë me iu kthy partisë. Mundësia më e mirë ndoshta do të ishte që mundësia të zgjidhej nga populli”, ka thënë Haradinaj.