Haradinaj: Salihu, intelektual që tërë jetën bëri përpjekje për liri
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka kujtuar sot Jashar Salihun në 19-vjetorin e vdekjes.
Haradinaj tha se ndihet krenar që është njohur me Salihun, ndërsa e cilësoi atë si intelektual që tërë jetën ia kushtoi përpjekjes për liri.
“Jashar Salihu, intelektual që tërë jeta e tij ishte përpjekje për liri. Në vitet e lavdisë, ai ishte ndër udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Krenohemi që e njohëm. Shembulli i tij do mbetet gjatë në kujtimin e shqiptarëve”, tha Haradinaj.
Sot mbushen 19 vjet nga vdekja e Jashar Salihut, përfaqësuesit të parë diplomatik i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, në Zvicër, dhe njëherësh ish-kryetar i Këshillit për Administrimin e Fondit “Vendlindja thërret”.
Që nga vitet e 70-ta, Jashar Salihu ishte anëtar i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe viseve shqiptare në ish-Jugosllavi, respektivisht ndër anëtarët më aktivë të grupeve ilegale të asaj kohe që vepronte brenda organizatës ilegale të quajtur Komiteti për Deçan, në kuadër të lëvizjes së udhëhequr nga ideologu, veprimtari më i shquar i çështjes kombëtare, Jusuf Gërvalla.