Haradinaj: Projekti i Kurtit është mashtrim, kurse Kurti është mashtrues (VIDEO)
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka komentuar të mërkurën zhvillimet politike në vend, ndërsa edhe njëherë ka ripërsëritur qëndrimin e tij për liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.
Haradinaj, pas mbledhjes së kabinetit qeveritar ka thënë se nuk ka pasur takim me të parin e Vetëvendosjes, deri sa nuk ka ngurruar që projektin e Kurtit ta quaj mashtrim, ndërsa vetë Kurtin mashtrues, shkruan FaktePlus
“Nuk kemi komunikim me Vetëvendosjen ose me z.Kurtin për qeverisje, unë e kam deklaruar se projekti që paraqet Kurti është mashtrim, edhe e kam quajt edhe z.Kurtin mashtrues, për shkak se bindja ime ka qenë se qasja e tij ndaj temave, ndaj realitetit të jetës nuk përputhet nuk qëndron ashtu, megjithatë, qytetari ka vendos, sovrani ka vendos ne jemi në opozitë, po qëndrojmë në detyra tona, po s’kemi asnjë lloj komunikimi me z.Kurtin”, tha kreu i qeverisë në detyrë.
Ndërsa Haradinaj ka mohuar zërat se është takuar me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën.
“Të them të drejtën kurrë s’kam qenë në shtëpinë e tij në Prapashticë, nuk jemi taku, është avancim i mediave tona, më duket janë bë shumë portale, na nuk jemi kundër me na pyet, nëse keni naj mendim, nuk e mohoj, edhe me më pas thirr mandatari Kurti, me më thanë i kam fituar zgjedhjet po du me bisedu me juve, nuk e kisha refuzu këtë takim, nuk kemi pas ftesë, nuk ka pas interesim të çfarëdo natyre. Nëse Mustafa më fton për kafe unë shkoj në çdo kohë, ju kisha përgjigj ftesës për takim”, shton ai.
E duke folur për zvarritjen e mosformimin e Qeverisë së re, Haradinaj ka deklaruar se nuk është mirë që të shkohet në zgjedhje të reja, duke përmendur edhe afatin për buxhetin deri në fund të muajit mars.
“Unë besoj që në Kosovë nuk është mirë me shku në zgjedhje të reja, nuk është presedan i mirë që të shkojmë ashtu, disi e pakuptimtë kjo, nëse i gjithë spektri politik vendos për zgjedhje, edhe Aleanca nuk e prish një disponim të tillë, por, zgjedhjet marrin edhe gjashtë muaj tjera. Në politikë nuk ka votë pa marrëveshje politike, pa koncept politik, nuk jepet vota për ose kundër, nëse ka një marrëveshje të caktume edhe mundet, e lajmë të hapur, unë jam ushtrues detyre në aleancë dhe në qeveri, mirëpo, Aleanca është sjell me respekt për vendimin e sovranit.
Kryeministri në largim Ramush Haradinaj , pas mbledhjes së qeverisë ka komentuar edhe marrëveshjen për lejimin e linjës ajrore Prishtinë-Beograd.
“Mendoj se fakti se është linjë ajrore i bën disa ndryshime në regjimin që ka ekzistu në mes të Kosovës dhe Serbisë për udhëtim, është fakt i ditur se qindra mijëra qytetarë tonë kalojnë nëpër Serbi, ka pas një regjim të udhëtimit, mendoj se kjo linja ajrore e implikon pak më shumë, po është ende herët ta shpallim ndonjë fitore të caktume, mendoj ndonjë të ardhme ta gjejmë ndonjë zgjidhje si ajo me Sllovakinë, me Greqinë, me vendet tjera që se kanë njohur Kosovën, po mund të njihen dokumentet e Kosovës në këtë rast pasaporta”, tha ai.
Aviokompania Lufthansa ka njoftuar autoritetet e Kosovës se së shpejti do ta hapin linjën ajrore Prishtinë – Beograd.
Kjo është bërë në një ceremoni në Ambasadën Amerikane në Berlin, në prezencën e të dërguarit special të Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, në të cilën përfaqësuesit e kompanisë Lufthansa ia kanë dorëzuar Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës letrën me të cilën i njoftojnë autoritetet e Kosovës për këtë synim dhe kërkojnë që institucionet e Kosovës t’u ofrojnë përkrahjen e nevojshme si për fluturimet tjera./FaktePlus