Haradinaj për vizitën në SHBA: Ambasada e Kosovës në Washington më injoroi, me siguri me direktiva të Kurtit
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-kryeministri, Ramush Haradinaj ka thënë se Qeveria e Kosovës e dinte për takimin e tij me Emisarin Gabriel Escobar, dy javë më herët, raporton Express.
Haradinaj ka thënë se ka kërkuar logjistikë nga Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ka thënë se është injoruar, me siguri me direktiva të kryeministrit Albin Kurti.
“Unë kam qenë kryetar qeverie dy herë edhe pse shkurt, jam i respektueshëm ndaj obligimeve të mia. Tani si deputet, unë i kam njoftuar me kohë ambasadën e Kosovës në ShBA për agjendën time. Qeveria Kurti e ka ditur për takimin tim me zotin Escobar dy javë përpara”, u shpreh ai.
“Pra, unë s’i kam fshehur asnjë detaj të angazhimit tim. Kam kërkuar logjistikë nga ambasada, pra jam injoruar nga Ambasada e Kosovës në Washington, si dhe nga konsullata në Nju York, me siguri me direktiva të Kurtit dhe të Qeverisë. Unë i kam njoftuar me kohë institucionet tona. Kam punuar në interes të Kosovës, pasi kam deklaruar disa herë se miqësia jonë me Amerikën është e dy popujve, jo e politikanëve”, ka thënë Harainaj, në Kanal 10.
Ndryshe, Haradinaj është pritur, të mërkurën, për një takim nga Ndihmës Asistenti i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë, Gabriel Escobar.
Haradinaj ka thënë se gjatë bisedës me Escobar ka shprehur përkshtuimin e tij për një Marrëveshje Gjithpërfshirëse dhe të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Në Departamentin e Shtetit u prita sot në takim nga emisari amerikan Gabriel Escobar Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë. Biseduam për temat e politikës së jashtme dhe sigurisë në Kosovë, dhe ripërsërita përkushtimin tonë për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke dhe respekton integritetin, sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.
Kryetari Haradinaj ka treguar se përballë Escobar ka theksuar se kjo marrëveshje mund të arrihet vetëm me rolin aktiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Falënderova z. Escobar për angazhimin e tij të jashtëzakonshëm për Kosovën”, ka njoftuar ai.
Ndërkohë, për vizitë në SHBA gjendet edhe kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po kritikohet se nuk po realizon takime me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit. Ai ka vizituar disa kompani të mëdha amerikane deri tani në Luginën e Silikonit.