Haradinaj në kundërshtim me NATO-n rreth lëvizjes së FSK’së në veri
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas debatit të nxitur sot nga konferenca e Kurtit për marrëveshjen me NATO-në rreth lëvizjes së FSK’së në territorin e Kosovës, ka dhënë një deklaratë kundërthënëse. Derisa Haradinaj pretendon se para një viti ka zhvlerësuar një vendim të tillë që i kufizon FSK’së lëvizjen në veri, nga NATO-ja thonë se Forca e Sigurisë së Kosovës për çfarëdo lëvizje në veri të Kosovës duhet të njoftojë paraprakisht dhe të marrë pajtimin e komandantit të KFORit.
Konferenca e sotme e Albin Kurtit në të cilën ka folur për marrëveshjen Thaçi-Rasmussen rreth angazhimit të FSK’së në pjesën veriore të Kosovës ka nxitur reagime të shumta.
Ka reaguar kreu i PDK’së, Kadri Veseli, i cili se ka thënë asnjë fjalë për marrëveshjen në fjalë, ndërkohë ka thënë se është shqetësues fakti që një kryeministër vë në pikëpyetje marrëveshjet e nënshkruara me NATO-në.
“Është shqetësues fakti që për herë të parë një Kryeministër i Kosovës i cilëson marrëveshjet me NATO-n në kundërshtim me interesat e Kosovës”, ka shkruar Veseli sot.
Ndërkohë zyrtari i partisë së Veselit, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kurti duhet të tregojë se a është pro apo kundër partneritetit me NATO-në.
Pa reaguar nuk ka qëndruar as ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, i cili ka publikuar një vendim që sipas tij ka zhvlerësuar marrëveshjen e më hershme të Thaçit dhe që FSK nuk ka asnjë kufizim sa i përket lëvizjes në territorin e Republikës së Kosovës.
Megjithatë një deklaratë e tillë e Haradinajt është kontradiktore, pasi zyrtar të NATO-së në një përgjigje të dhënë sot kanë potencuar se FSK-ja në veri të Kosovës mund të shkojë vetëm me leje të komandantit të KFOR-it.
“Çfarëdo lëvizje nga FSK në pjesën veriore të Kosovës kërkon njoftim paraprak dhe pajtueshmëri nga komandanti i KFOR-it”, ka thënë ky zyrtar i NATO-s.