Haradinaj: Kosova më e sigurtë të udhëhiqet nga një qeveri e votuar në parlament, sesa nga qeveria e shkarkuar
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj tha në Klan Kosova se gjatë takimit të sotëm me presidentin Hashim Thaçi janë dakorduar për mundësinë e zgjedhjes së një qeverie në Kuvend, pa shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Është me interes për Kosovën që këtë gjendje, kur Kosova qeveriset nga një qeveri e shkarkuar, ta tejkalojmë sa më shpejt. Sot gjatë bisedës me presidentin [Hashim] Thaçi u hap tema mbi pandeminë, por edhe se si të dilet nga kjo gjendje për t’i dhënë Kosovës qeveri legjitime”.
“Ishte një dakordim që të respektohet Kushtetuta, por në përputhje me këtë duhet të shihen mundësitë e zgjedhjes së një qeverie në Parlamentin e Kosovës në mënyrë që në afatin më të shkurtër kohor ta kemi një qeveri të votuar. Është më e sigurtë Kosova të qeveriset nga një qeveri e votuar në parlament se sa nga një qeveri e shkarkuar – kjo nuk ka dilemë”.
Haradinaj ka deklaruar se duke e pasë parasysh situatën me pandeminë nuk duhet të vazhdohet me qeveri në largim, sepse si e tillë nuk mund të marrë vendime të mëdha.
“Një qeveri e shkarkuar, ose si rasti im që ka qenë e dorëhequr vetë, ka disa kufizime – për shembull pakoja financiare që duhet të aprovohet në parlament. Një qeveri e shkarkuar e ka të pamundur t’i drejtohet parlamentit. Pra, është e nevojshme që sa më shpejt të zgjedhet një qeveri e re. Sepse, një parlament që e ka shkarkuar një qeveri nuk pranon më detyra nga ajo qeveri”.
Por, a është Ramush Haradinaj pro mbajtjes së zgjedhjeve pasi situata me pandeminë të ketë kaluar?
“Qëndrimi im dhe i Aleancës është që t’i jepet një mundësi në bazë të Kushtetutës që të zgjedhet Qeveria e Kosovës në parlament. Nëse ka dakordim politik, pse jo të caktohet data e zgjedhjeve në një periudhë pas një viti ose kurdo”.
“Presidentit i kalon mandati pas një viti dhe kjo mund të provokojë vetëvetiu zgjedhje. Por, para se të vendosim kësaj here duhet ta kuptojmë që shkuarja në zgjedhje është e pamundshme në këtë periudhë dhe kohëzgjatja me një qeveri të shkarkuar nuk është në rregull, sepse është e pamundshme të vazhdohet kështu”.