Haradinaj ia blen Kurtit “Gomat për dimër”
Sikurse shumica e qytetarëve edhe Zyra e Kryeministrit të Kosovës po bëhet gati për stinën e dimrit. Kjo zyrë tashmë i ka blerë gomat fringo të reja për veturat e saj dhe nuk do të mbetet e izoluar edhe në rast se fillojnë ngricat e bie borë.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka blerë goma të reja për dimër, ndonëse shefi i kësaj zyre, Ramush Haradinaj, tashmë është në ikje dhe vendin e tij pritet ta zë Albin Kurti, që edhe ka dalë fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit, shkruan FaktePlus.
Kështu gomat e reja nëse arrihet koalicioni dhe formohet Qeveria mund të mos i provoj Haradinaj, por Kurti.
E Zyra e Kryeministrit për blerjen e këtyre gomave ka vendosur t’i shpenzojë 602 euro.
Në njoftimin që është bërë publik në KRPP është treguar se gomat për zyrën e shefit të Qeverisë, janë blerë në kompaninë “Eurogoma”.
Në garë për tenderin “Furnizim me Goma për vetura” kanë qenë gjithsej tri kompani.
Kontrata mes kompanisë fituese dhe Zyrës së Kryeministrit është nënshkruar më 14.10.2019./FaktePlus