Haradinaj i gëzohet refuzimit të kërkesës së Serbisë
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj i është gëzuar dhe ka përshëndetur refuzimin e djeshëm nga Operatorët e Sistemit Transmetues të Evropës Kontinentale, që kanë bërë ndaj kërkesës së Serbisë.
Haradinaj tha se me vendimin e djeshëm pavarësia energjetike e Kosovës po përmbyllet.
“Përshëndes refuzimin e djeshëm nga Operatorët e Sistemit Transmetues të Evropës Kontinentale, të kërkesës së EMS (Serbi) për rishikim të vendimit të fundit të këtyre OST-ve, që ka të bëjë me definimin e afatit kohor për operim të KOSTT-it zonë/bllok rregullues brenda Evropës kontinentale, jo më larg se 14.04.2020, kur edhe Elektrosever kushtëzohet për të operuar i licencuar si furnizues konform kornizës ligjore dhe rregullative të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Kështu, KOSTT në muajin prill të vitit të ardhshëm, do të fillojë të operojë si zonë rregulluese brenda Evropës, i pavarur nga Serbia, sipas marrëveshjes së re të kyçjes me ENTSO-E.
“Përgëzoj menaxhmentin e KOSTT-it, për insistimin e vazhdueshëm për pavarësimin energjetik të Kosovës, si dhe mirënjohës të gjitha kompanive homologe me KOSTT-in, miqtë tanë amerikanë dhe gjermanë, që përkrahen të drejtën e Kosovës”, është shprehur Haradinaj.