Haradinaj flet për Bardhecin zv/ministër: Djalë i një familje të ngritur, për akademik e kemi ministrin
Emërimi i studentit të padiplomuar, Driton Bardhecit nga AAK-ja zv/ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, nxiti reagime nga i gjithë spektri në Kosovë.
Për emërimin e tij dhe marrjen e një posti me rëndësi në Qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti reaguan shoqëria civile e partitë opozitare, duke e konsideruar si të pakualifikuar për këtë pozitë.
Emërimi i tij në dikasterin e udhëhequr nga Ramë Likaj, veç tjerash u konsiderua si shkelje e marrëveshjes së koalicionit mes partnerëve qeverisës.
Në pikën 9 të marrëveshjes ceket që në kabinet duhet të emërohen njerëz me kompetencë të lartë profesionale.
“LDK dhe AAK pajtohen që në kabinetin qeveritar, të caktojnë persona me kompetencë të lartë profesionale, pastërti të figurës, të mos kenë dhe të mos kenë pasur probleme me ligjin, si dhe të kenë vullnet për punë ekipore”, thuhet në pikën 9 të kësaj marrëveshjeje.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka kontaktuar me zyrtarë nga të dyja partitë të cilët nuk e kanë saktësuar nëse kjo është apo jo shkelje e kësaj pike.
Nënkryetari i AAK-së, Daut Haradinaj ka thënë se nuk i di detajet e marrëveshjes, porse vlerëson se Driton Bardheci është një djalë i ngritur.
Sipas tij, ai do të merret vetëm me Qendrat Rinore.
“Unë nuk i di detajet, por një mundem me iu siguru që është tepër djalë i ngritur nga një familje shumë e mirë edhe ky djali do të merret vetëm me Qendra Rinore. Nuk është dmth në aspektin profesional e akademik, për akademik e kemi ministrin, të kualifikuar me të gjitha gradat e mundshme”, ka thënë Haradinaj në një përgjigje të shkurtë për FaktePlus, duke e arsyetuar se ka mbledhje dhe nuk ka kohë për një elaborim më të gjatë.
Kurse nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova ka thënë se për këtë çështje duhet të pyetet kryeministri Hoti dhe nënshkruesit e marrëveshjes.
“Unë mendoj që këtë pyetje duhet me ia bë Aleancës në radhë të parë, nënshkruesve të marrëveshjes pasi që unë nuk kam marrë pjesë në marrëveshje dhe kryeministrit natyrisht. Unë nuk besoj që jam ai që duhet me ta dhënë këtë përgjigje. Zakonisht ne në parti nuk i diskutojmë propozimet që i bjen dikush tjetër prej anëtarëve të koalicionit, të cilët janë nënshkrues të marrëveshjes. Është çështje e tyne dhe e kryeministrit që e miraton një propozim që në këtë rast e ka dhënë Aleanca”, ka thënë për FaktePlus, Rugova.
Ndryshe, Bardheci u bë i njohur në një aksion protestues të Rinisë së AAK-së, para qeverisë së Kosovës, në kohën kur kjo udhëhiqej nga Albin Kurti, e që kishte të bënte me vendimin për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe.
Ndërkohë edhe drejtues nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike kanë pohuar se Bardheci ende nuk është i diplomuar dhe ai vazhdon të vijojë studimet në vitin e tretë, në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, programi Inxhinieria Industriale dhe Menaxhment.
Bardheci i cili po përflitet shumë pas emërimit si zv.ministër deri tani nuk është deklaruar vetë, madje sot e ka mbyllur llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, duke e lënë të hapur vetëm një fan page.
Në Qeverinë Hoti deri tani një pjesë e madhe e emërimeve janë kryer, por ka ende dikastere pa emërime.
Qeverisë e re e Kosovës nën drejtimin e Avdullah Hotit është votuar me 3 qershor në Kuvendin e Kosovës. Nga 86 deputetët e pranishëm, 61 deputetë kanë votuar për, kurse 24 kanë qenë kundër dhe një abstenim. Qeveria Hoti është rezultat i koalicionit të LDK-së me AAK-në, Nismën dhe Listën Serbe./FaktePlus
Ky është kabineti qeveritar:
Zëvendëskryeministrat:
Besnik Tahiringa – AAK
Driton Selmanaj – LDK
Goran Rakiq – Lista Serbe
Albulena Balaj-Halimaj – NISMA
Ministrat:
Hykmete Bajrami – Ministre e Financave
Besian Mustafa – Ministër io Bujqësisë
Vlora Dumoshi – Ministre për Kulturë, Rini dhe Sport
Arban Abrashi – Ministër i Infrastrukturës
Agim Veliu – Ministër i Punëve të Brendshme
Selim Selimi – Ministër i Drejtësisë
Armend Zemaj – Ministër i Shëndetësisë
Anton Quni – Ministër i Mbrojtjes
Blerim Kuqi – Ministër i Ekonomisë dhe Ambientit
Meliza Haradinaj – Ministre për Punë të Jashtme dhe Diasporë
Ramë Likaj – Ministër i Arsimit
Skender Reçica – Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale
Vesel Krasniqi – Ministër i Tregitsë dhe Industrisë
Dalibor Jevtiq – Ministër për Kthim dhe Komunitete
Goran Rakiq – Ministër i Pushtetit Lokal
Enis Kercan – Minisër i Zhvillimit Rural