Haradinaj falënderon miliarderin arab për interesimin që të investojë në Kosovë
Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj ka pritur në takim investitorin dhe miliarderin arab Muhamed Al Barwani.
Në këtë takim, biznesmeni Al Brawani ka shprehur interesimin e tij për investime në sektorin minerar të Trepçës, në atë të bujqësisë dhe turizmit.
“Prita në takim drejtuesin e shumë kompanive dhe investitorin nga Omani, Muhamed Al Barwani, me të cilin patëm një bashkëbisedim të hapur dhe të frytshëm rreth investimeve në Kosovë. E falënderova z. Al Barwani për interesimin që të investojë në sektorin minerar, të turizmit, bujqësi dhe sektorë të tjerë me potencial ekonomik të vendit duke e njoftuar atë për resurset që kemi, sa i përket këtyre fushave”, deklaroi Haradinaj.
Tutje, kryeministri Haradinaj tha se qeveria është e fokusuar që të krijojë kushte sa ma të mira për investitorët e huaj, sepse kjo lidhet me zhvillimin ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës.
“Si Qeveri jemi të fokusuar që investimet e huaja të jenë sa më të pranishme dhe në këtë drejtim kemi punuar që investitorëve t’u ofrojmë kushtet më të mira për investim, me qëllim të zhvillimit ekonomik të vendit dhe hapjen e vendeve të reja të punës”, theksoi Haradinaj.
Kujtojmë, se gjatë ditës së sotme biznesmeni arab Al Brawani ka zhvilluar një takim edhe më ministrin e Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka.