Haradinaj: E shoh të vështirë shfuqizimin e Speciales kur tashmë janë ngritur aktakuza
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka komentuar zhvillimet e fundit që lidhen me aktakuzat e Gjykatës Speciale.
Haradinaj ka thënë se Kosova duhet ta ruaj interesin nacional pas zhvillimeve të fundit që lidhen me Gjykatën Speciale.
Ai ka thënë se Kosova është dashur të bëjë ofertë për themelimin e një gjykate ku do të trajtoheshin krimet e mundshme.
“Gjykata është dashur të formohet brenda vendit ndërsa dëshmitarët të mbaheshin jashtë vendit dhe të jepnin dëshmi përmes videolinkut”, Tha Haradinaj, përcjell Telegrafi.
I pari i AAK-së thotë se gjykata ka mundur të vendoset në Dyz apo Bondsteel dhe të fillojë me procedurat.
Haradinaj thotë në Dukagjin se e kupton situatën në të cilën ndodhen Thaçi dhe Veseli por sipas tij edhe skena politike është duke kaluar një situatë jo të lehtë.
“Pos menaxhimit të sotëm Kosova është mirë që të ketë një strategji edhe për të ardhmen. Kosova nuk duhet të ketë borxhe ndaj drejtësisë”.
Ish-kryeministri i Kosovës thotë se pavarësisht se përgjegjësia është personale, nëse dënohet ndonjë ish-ushtarë i UÇK-së do të dëmtohet vendi.
Haradinaj thotë se Kosova ka gabuar ën mënyrën se si është formuar Gjykata Speciale por sipas tij tashmë duhet të mbahen obligimet ndërkombëtare që janë pranuar.
“Nëse Kosova merr veprime kur ka paralajmërim për aktakuza është shumë e vështirë edhe nëse bëjmë ofertë për të sjellë në Kosovë gjykatën”.
I pari i AAK-së thotë se është një forcë e madhe që ka marrë drejtim në procesin e aktakuzave në Gjykatën Speciale.
“E shoh shumë të vështirë të veprohet kur tash ka aktakuza”, tha ndër të tjera Ramush Haradinaj.