Haradinaj e quan anti-kushtetuese dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave veriore
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë, ka folur për dorëheqjet e katër kryetarëve të komunave veriore, të cilët lanë postet e tyre në shenjë kundërshtimi për masën 100 për qind të marrë nga Qeveria për produktet serbe dhe boshnjake.
“Kjo është një situatë pa vendim, ne kemi marrë këto materiale, por jemi duke i shqyrtuar. Nëse i merr shkresat zyrtare, ne kemi problem t’i kualifikojmë ato zyrtare në juridiksionin tonë. Aty flitet për një veprim që ka bërë Kosova ndaj një vendi fqinjë, e këta nuk pajtohen por janë të Kosovës dhe punojnë me ligje të Kosovës. Aty flitet edhe për një entitet “Kosovo i Metohije” që me Kushtetutën tonë nuk ekziston”, tha Haradinaj.
Kreu i ekzekutivit theksoi se këto dorëheqje nuk guxon t’i dërgojë as në Kushtetuese, pasi mund t’i thotë dikush se ato janë antikushtetuese.
‘Njëherë është një vendim pezull. Ne duhet të marrim opinion ligjor tonën, nga Ministria, kryeministria. Ne duhet ta shohim dhe të jepet një vendim i yni. Unë nuk kam arsye ta dërgoj në Kushtetuese sepse nuk guxoj meqë dikush mund të na thotë se ky nuk është kushtetuese”, shtoi ai. /FaktePlus