Haradinaj e përshëndet deklaratën amerikane që mohon planin sekret për territore
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hedhur poshtë zërat se ekziston një marrëveshje sekrete Kosovë-Serbi për shkëmbim territoresh.
Nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij, në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka thënë se “deklarata e krerëve të lartë të Administratës amerikane dhe Departamentit të Shtetit se nuk ekziston një plan sekret për shkëmbime territoresh, është siguria më e madhe dhe garancia më e duhur që i nevojitet Kosovës sot për të ecur përpara”.
“Kohën dhe energjinë më të madhe sa isha kryeministër, ia kam kushtuar luftimit të zërave konspirativ e të pasaktë, që dikur thonin se Amerika është për shkëmbim territoresh, duke synuar gabimisht largimin tonë nga aleati ynë historik, SHBA-të. Ai plan ka pasë mundësi të jetë në tavolina tjera, por asnjëherë në tavolinën e udhëhequr nga SHBA-të. Sonte, ndihem i përmbushur dhe i sigurtë, që kjo bindje po konfirmohet edhe deklarativisht”, është shprehur Haradinaj.
“Marrëdhëniet tona me Amerikën janë të pathyeshme, të pacenueshme, dhe të përhershme. Shtëpia e Bardhë dhe Washingtoni janë tempull i shenjtë i lirisë dhe pavarësisë sonë. Zoti e bekoftë Amerikën dhe popullin e saj. Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin tonë”, ka thënë kreu i AAK’së.
SHBA-të demantojnë Kurtin: Nuk ka marrëveshje për shkëmbime territoresh