Haradinaj-drejtorit të KEK-ut: Prodhoni rrymë ose prishemi
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u ka kërkuar udhëheqësve të KEK-ut që të bëjnë gjithçka që gjatë dimrit të ketë energji elektrike të bollshme në mënyrë që qytetarët të mos mbesin me orë të tëra pa rrymë.
Ai në mëngjesin e sotëm ka vizituar KEK-un, ku është takuar me drejtorin Njazi Thaçi, nga i cili ka kërkuar furnizim të rregullt.
Madje, kreu i Qeverisë i ka thënë atij se nëse ndodh ndryshe atëherë mund të prishen. Derisa, ka thënë se kur të shkojnë në KEDS do t’iu thonë edhe atyre se çka mendojnë.
“Ajo që duhet të kuptohet është se KEK është e Kosovës, e popullit të Kosovës, e çdo qytetari të vendit dhe duhet me qenë kujdestar që të ketë rrymë. Megjithatë barra është mbi KEK-un. Sot jemi në KEK, por kur të jemi në KEDS edhe atyre do t’iu themi çka mendojmë për ta dhe si duhet të ndodh furnizimi, por gjatë këtij dimri nuk bënë të dështojnë. Drejtor s’kemi qare pa u prishur me ba mos me na dhezë…ma mirë është jo se në telashe jemi dytë atëherë”, tha Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj tha se nga drejtori i KEK-ut u njoftua se aktualisht prodhohen 530 megavat energji elektrike, ndërsa, 400 megavat të tjera duhet importuar për të mbuluar kërkesat në Kosovë. Derisa tha se shpejt presin edhe lëshimin në funksion edhe të bllok të Kosovës A, e po ashtu edhe një tjetër në Kosovën B.
“Importi i ka dy të këqija, e para është se është import dhe nuk është prodhim vendor, pra, e prish bilancin tregtar dhe shkakton pasoja për ne si Kosovë, por edhe tani në dimër importi i energjisë është shumë i shtrenjtë. Kërkesa ime për drejtorin dhe kolegët tjerë është që këta të lëshojnë në prodhim çdo bllok të mundshëm edhe të luftohet për çdo megavat të vendit. Premtimi është se do të kemi mbi 800 megavat”, theksoi ai.
Po ashtu, Haradinaj tha se ka kërkuar nga drejtori kujdes dhe që remontet mos të ndodhin dimrit.
“Ajo që kam kërkuar edhe nga drejtori edhe nga të tjetrit, është që të bëhet kujdes që gjatë këtij dimri të mbijetojmë prodhimin, të fusim në treg sa më shumë megavat, ndërsa remontet t’i bëjnë në një kohë kur nuk është dimër. U tha se zgjasin këto remonte, por nuk është mirë hyjë një bllok e bjerë një tjetër se problem për vendin”, shtoi Haradinaj.
Gjatë javëve të kaluara ka pasur reduktime të ashpra të energjisë elektrike, duke shkuar deri në 6 orë. /FaktePlus