Hapet konkursi për konvikte, këto janë kriteret
Kur kanë mbetur më pak se një muaj deri në fillim të vitit të ri akademik dhe tashmë Qendra e Studentëve e Universitetit të Prishtinës “ Hasan Prishtina”, ka hapur konkurs për pranimin e studentëve në konvikte dhe në mensë.
Në njoftimin e lëshuar nga Qendra e Studentëve, bëhet e ditur se konkursi do të jetë i hapur për 9 ditë, nga data 4 shtator deri më 13 shtator 2018.
“Studentët të cilët do të aplikojnë për strehim dhe ushqim në Qendrën e Studentëve, aplikimin do ta bëjnë përmes sistemit online, në adresat zyrtare të QS, ueb-faqen (qs.rks-gov.net) dhe profilit zyrtar, Facebook Qendra e Studenteve-Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Këtë vit, Qendra e Studentëve e Universitetit të Prishtinës do të pranojë rreth 4 mijë studentë, për të cilët ofron strehim, ushqim ,si dhe hapësirat për lexim, studim, sport dhe aktivitete tjera të ndryshme.
Mënyra e përzgjedhjes së kandidatëve të cilët do të fitojnë të drejtën për strehim dhe ushqim bëhet në bazë të kritereve të përcaktuara në konkurs. Këto kritere janë të publikuara në ueb-faqen e Qendrës së Studentëve.
Çmimi për një student do të jetë 35 euro për muaj (20 euro banimi dhe 15 euro ushqimi)./FaktePlus