Hap dyert ‘Shtëpia e Evropës’ në Prishtinë
Në prag të Ditës së Evropës është hapur në Prishtinë “Shtëpia e Evropës” (Europe House), e cila do të jetë nën menaxhimin e Unionit Evropian në Kosovë. Kjo shtëpi do të jetë adresa e re për shumë aktivitete nga fusha të ndryshme që do të mbahen në kryeqytet.
Aktivitetet në këtë shtëpi nisën me dy ekspozita. Bëhet fjalë për ekspozitën me fotografi “Perspektiva e ndryshme” nga Agon Nimani dhe ekspozitën e qeramikës “Flakërim i dashurisë” nga Gresa Islami.
E pranishme në hapjen e kësaj shtëpie ishte edhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) për Kosovë, Nataliya Apostolova. Duke e hapur zyrtarisht “Shtëpinë e Evropës” Apostolova u shpreh se ndihet mirë që janë hapur ambientet e reja në zemër të Prishtinës, afër Zyrës së BE-së. “Hapësirat e ‘Shtëpisë së Evropës’ janë më të mëdha dhe ky fakt na mundëson të takohemi në ngjarje të shumta dhe ne po hapim dyert duke ju ftuar që të jeni partnerë për të punuar së bashku me ne. Dera e Evropës është dera për Kosovën, të cilën e kemi krijuar ndër vite, sikur edhe rrjete tjera”, u shpreh Apostolova për të pranishmit.
Shefja e Zyrës së BE-së më tutje vlerësoi se është veçanërisht e lumtur që aktivitetet në kuadër të Ditës së Evropës kanë nisur në këtë shtëpi, që sipas saj bashkon të gjithë, audiencën e re dhe ata në moshë të shtyrë, mediet, institucionet dhe qytetarët e Kosovës.
Apostolova tha se investimi më i mirë që ka bërë Bashkimi Evropian në Kosovë është te rinia, të cilëve u është mundësuar të studiojnë jashtë Kosovës, në vendet e Evropës përmes programit “Erasmus +”. E mbi të gjitha ajo theksoi se është edhe më e kënaqur që këtë të rinj janë kthyer për të kontribuar në vendin e tyre. “Investimi më i mirë për të cilin krenohemi është në rini, në ardhmërinë e Kosovës. Jemi krenuar çdoherë që kemi arritur të dërgojmë studentë për studime jashtë në Evropë dhe gëzojmë suksesin e kthimit të tyre në Kosovë”, tha ajo. “Ky shkëmbim është njëri prej qëllimeve të përbashkëta të kësaj hapësire, të frymëzohemi nga sukseset e njerëzve që bëjnë ndryshime në Kosovë dhe jashtë saj dhe ju ftoj që të bashkëpunoni me ne, më shumë se çdoherë tjetër”, shtoi Apostolova.
Qendra Kulturore e BE-së në Prishtinë gjatë datave 6-10 maj do të organizojë një varg aktivitetesh, përmes të cilave do të festohet Dita e Evropës. Më 8 maj në Mitrovicën Veriore organizon një koncert me grupin e Artan Lilit, për të vazhduar më 9 maj me një panair në sheshin “Adem Jashari”. Aktivitetet përfundojnë më 10 maj, me një koncert të violinistit Olen Sesari, që do të mbahet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.