Hamza thotë se ia kanë plotësuar të gjitha kërkesat buxhetore Ministrisë së FSK-së
Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se i kanë plotësuar të gjitha kërkesat e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, pas transformimit të saj në Forca të Armatosura të Kosovës.
Ai iu ka përgjigjur deputetit të Vetëvendosjes, Shemsi Syla, se FSK-ja nuk ka buxhet të mjaftueshëm.
Ministri Hamza theksoi se FSK-ja financohet nga buxheti i shtetit dhe se nuk ka nevojë për financim alternativ.
“Nuk është problem dhe nuk ka nevojë, se mund ta quaj dhe ta shtroj problemin në këtë formë, a po thua ti ta shkurtojmë autostradën në drejtim të Gjilanit, s’e besoj. Unë po them që ka mundësi të sigurohet financim i qëndrueshëm për këtë çështje të rëndësishme pa pasur nevojë të ndërhyhet dhe t’i dëmtojmë projektet ekzistuese. Shteti, buxheti i shtetit e financon FSK-në, ushtrinë e ardhshme të Kosovës në mënyrë transparente, ligjore e kontrolluar nga Kuvendi përmes parasë publike dhe nuk ka nevojë që të prodhohen situata që ky institucion duhet të financohet edhe në mënyrat tjera alternative që nuk janë të nevojshme”, tha Hamza raporton FaktePlus.
Me tutje ministri Hamza, ka thënë se të gjitha kërkesat buxhetore ua kanë plotësuar Ministrisë së FSK-së.
“Sa ka nevojë, kaq kanë qenë kërkesat e Ministrisë së FSK-së, në dëgjime buxhetore 100 për qind ua kemi mbuluar kërkesat pa negociuar ku ka pasur edhe pjesëtar të KFOR-it në ato dëgjime buxhetore. Pastaj, në Qeveri është ngritur edhe një kërkesë shtesë për dy, tre milionë, unë si ministër e kam përkrahur automatikisht. Dhe, çdo kërkesë që vjen prej organizatës buxhetore në këtë rast, ende që është Ministria e FSK-së, do ta ketë përkrahjen e MF-së dhe Qeverisë dhe pa dallim politik gjithë deputetëve të Kuvendit”, theksoi Hamza.
Debati për projektligjin për buxhetin e vitit 2019 po vazhdon ende, ku opozita po e kritikon këtë buxhet. /FaktePlus