Haki Shatri flet për kompetencat e Qeverisë pas dorëheqjes, për rroga thotë se nuk bahet “nami”
Edhe pse të premten që lamë pas, Ramush Haradinaj dha dorëheqja nga posti i kryeministrit, ai po vazhdon të sillet sikur të mos kishte ndodhur dorëheqja, duke përdorur çdo gjë të shtetit sikur më parë. Madje Haradinaj duket se ka “harruar” dorëheqjen pasi në një dokument të publikuar në medie është thirrur edhe mbledhje e Qeverisë për nesër, ani pse Kushtetuta thotë që me dorëheqjen rrëzohet e gjithë qeveria.
E këto veprime të ish qeveritarëve sipas analistëve politikë dhe njohës të çështjeve juridike, siç është edhe ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, bien ndesh me Kushtetutën e ligjet e shtetit.
Ish- kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani ka thënë se Haradinaj nuk mund të konsiderohet kryeministër në detyrë, që nga momenti kur ka dhënë dorëheqje.
Ai duke ironizuar thotë se një gjë të tillë se lejon as ligji i gravitetit, e as ligjet e Kosovës assesi.
“Të thuash dha dorëheqje të pa revokueshme edhe me i thonë vetes kryeministër në dorëheqje mandej, se lejon as ligji i gravitetit, le ligjet tjera”, ka deklaruar Hasani.
Por, këshilltarët e Haradinajt tashmë në dorëheqje, po thonë se nuk mund të krijohet një vakum institucional deri në ardhjen e një kryeministri tjetër në Qeveri.
Këshilltari i Ramush Haradinajt, Haki Shatri ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se nuk po çuditet me deklaratat të cilat po e kundërshtojnë që Haradinaj të sillet ende si kryeministër.
Madje, sipas tij zëra të tillë pati edhe kur Haradinaj ishte në pozitën e kryeministrit me mandat.
“Ata që po flasin nuk janë ka më çuditin se ata edhe kur ka qenë me mandat të plotë nuk kanë pas qef që e kanë pa aty kryeministrin. Por ajo që e di unë, pavarësisht se a është Ramushi apo dikush tjetër e di që një shtet funksional, ku ka rend dhe ligj pa marrë parasysh rrethanat një qeveri duhet me ia dorëzu detyrën një qeverie të re dhe nuk guxon me pas vakum institucional edhe pse në këto rrethana dihet që i ka kompetenca tjera dhe nuk i ka ato që i ka pas para dorëheqjes”, tha Shatri.
E Shatri iu është përgjigjur edhe zërave që Haradinaj nuk do të duhej të shkonte në zyrë si kryeministër.
Në këtë pikë ai ka ironizuar duke thënë se “ata që mendojnë kësi lloji ndoshta mendojnë që tash nuk duhet të ha as bukë Haradinaj”.
E vazhdimi i marrjes së pagave dhe përfitimit të benefiteve nga posti i kryeministrit, ministrave, zëvendësministrave e këshilltarëve, duket se nuk po çon peshë tek vetë Haradinaj dhe vartësit e tij.
Këshilltari Shatri thotë të mos lidhet gjithçka me rrogat, pasi që edhe nëse si marrin nuk bëhet ‘nami’.
“Çka ka benifite!? Ai e ka rrogën, e mos u lidhni me një rrogë se nuk u ba nami për një rrogë. Kryeministri dhe ministrat…edhe me shku sot ai një vit e ka të garantuar rrogën me ligj. Edhe ai edhe ministrat. Nuk është problemi i rrogës, por i funksionit të shtetit. Nuk e kam fjalën për një rrogë se nami nuk bëhet as për atë rrogë. E kryeministri nëse ka mbet në këtë rrogë që e merr dhe një muaj, hiç mos t’ia japin. Ama nuk guxon me mbet vendi në vakum institucional. Qeveria është në dorëheqje dhe ka funksionet e limituara”, përfundon Shatri.
Njohësi i çështjeve juridike-kushtetuese, Blerim Burjani tha për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se me dorëheqjen e Haradinaj nga posti i kryeministrit bie Qeveria e që legalisht Kosova s’ka më Qeveri.
“Neni 95 .5 e thotë qartë me dorëheqjen e Kryeministrit bie Qeveria, legalisht Kosova s’ka me qeveri të plotfuqishme dhe vendimmarrëse, asnjë veprim logjikisht bazuar në këtë nen kjo qeveri nuk mund të merr vendime, thjesht, ka ra Qeveria duhet të shpallen zgjedhjet e reja, në situatën konkrete Kosova s’ka Qeveri por ka procedura tjera si psh, mandati i mbetur në gjysmë. PAN duhet të ftohet nga presidenti dhe të deklarohet se a do të mbaj mandatin me propozu një kryeministër tjetër. Nëse PAN nuk deklarohet presidenti duhet te takoje partitë poltike dhe të shpalle zgjedhjet”, tha Burjani për FaktePlus.
Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është kritikuar ashpër nga opozita, por edhe shoqëria civile pasi me një vendim ia pati dyfishuar vetes dhe kabinetit të tij pagën. Qeveria, e udhëhequr nga Haradinaj, është kritikuar edhe për numrin e lartë të ministrive dhe mandej për shumë zëvendësministra në kabinetin e tij./FaktePlus