Haki Rugova 30 ditë arrest shtëpiak, ky është personi që do të kryej punët e komunës
Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova që nga dita e djeshme do të jetë në arrest shtëpiak për 30 ditë. Kjo pasi që Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për krime të rënda, i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaji.
“Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për krime të rënda, ka aprovuar propozimin e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit H.R për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale konflikt i interesit, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe vepër penale falsifikim i dokumentit zyrtar”, thuhet në njoftim e Gjykatës.
Masë arresti shtëpiak prej një muaji i është caktuar edhe të pandehurit tjetër L.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim i dokumentit zyrtar.
Ndërsa, për të pandehurin F.B, i dyshuar se në bashkëkryerje me të pandehurit H.R dhe L.B kishte për të kryer veprën penale falsifikim i dokumentit zyrtar, prokurori i shtetit në seancë hoqi dorë nga propozimi për caktimin e masës së arrestit shtëpiak.
Por kush po udhëheq me Komunën e Istogut përderisa Rugova nuk është në karrigen e kryetarit. FaktePlus ka kontaktuar komunën e Istogut respektivisht me nënkryetarin e saj, Agim Ademaj.
Ademaj ka konfirmuar për Agjencinë e Lajmeve për kompetencat e marra për ta udhëhequr komunën.
Ai tha se menagjimi i punëve nuk do të jetë problem për të. Ademaj theksoi se shërbimi ndaj qytetarëve do të vazhdoj.
“ Unë i kam marr kompetencat për udhëheqje dhe do të jetë gjithçka normale. Puna do të rrjedh normale, jam me 20 vite përvoj pune. Nuk do të kemi probleme, shteti duhet të funksionoj, komuna duhet t’iu shërbej qytetarëve dhe kështu me rend, nuk nuk ka kurfarë telashe”, tha Agim Ademaj
Ndryshe Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova i arrestuar javën e kaluar nën dyshimin për kryerje të veprës penale keqpërdorim i pozitës zyrtare, konflikt interesi dhe falsifikim i dokumentit është paraqitur të dielën në një seancë dëgjimor në Gjykatën Themelore në Pejë.
Besnik Berisha, avokati i kryetarit Rugova, pas përfundimit të kësaj seance tha para gazetarëve se në seancën e sotme kanë dorëzuar prova të cilat tregojnë pafajësinë e kryetari të Komunës së Istogut.
“Kemi dorëzuar prova për secilin pretendim, kemi dorëzuar prova që nuk bëhet fjalë për falsifikim, kemi dorëzuar prova që nuk bëhet fjalë për shpronësim të kundërligjshëm dhe prova të tjera”, tha Berisha, duke shtuar se gjykata është duke trajtuar pretendimet e paraqitur dhe ende nuk dihet se çfarë mase do të vendoset për kryetarin Rugova.
Haki Rugova është nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në një konferencë për media të mbajtur të dielën, kreu i LDK-së, Isa Mustafa tha se nëse procesi gjyqësor ndaj Rugovës zvarritet, atëherë arrestimin e tij do ta konsiderojë si arrestim me qëllim që ta dëmtojë partinë, e cila aktualisht udhëheqë me vendin./FaktePlus