Haki Abazi akuzon LDK-në për ngjashmëri me Rusinë, aktivisti i VV-së e fyen keq
Zëvendëskryeministri i dytë i Qeverisë në detyrë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, mbrëmë pas mesnatës ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës – njëherësh edhe ish-partnerin qeverisës të partisë së tij, për ngjashmëri me Rusinë.
Ai, përmes një postimi të një shkrimi në gjuhën ruse në Facebook, ka treguar se Rusia po kërkon heqjen e reciprocitetit me Serbinë të vendosur nga Qeveria Kurti. Në këtë rrafsh Abazi, ka krahasuar Rusinë me LDK-në, teksa ka thënë se me këtë arsyetim dhe kërkesë është ngritur mocioni i mosbesimit.
“Rusia kërkon heqjen e reciprocitetit me Serbinë nga ana e Kosovës, të vendosur nga qeveria jonë. Me këtë arsyetim dhe kërkesë është ngritur mocioni i mosbesimit”, ka shkruar Abazi, mbi linkun e shkrimit.
Por, në këtë akuzë duket se kundër i kanë dalë vetë aktivistët e partisë së tij VV.
Në një koment të shkruar nga një aktivist i VV-së, i kërkohet Abazit dhe Qeverisë në detyrë që të vazhdojnë punën duke mos u marr më me mocion. Ai po ashtu i thotë se kështu do të humbin vota nga populli.
“Krahi bothes kqyr perpara leje tasht mocioni sene,ajo pun ka kalu mos e flliqni gojen me hup vota te populli. Krejt pe dim qe ata fajtor”, ka shkruar ai.
Kujtojmë se Qeveria Kurti, u rrëzua me një mocion mosbesimi nga partneri i tyre qeverisës LDK më 25 mars.