Hajnat në aksion, patrullimet e policisë të rralla
Pothuajse në çdo raport 24 orësh të policisë tregohet për raste të shumta të vjedhjeve që kanë ndodhur në Kosovë. E nëse mblidhen gjithë rastet për tërë vitin që lamë pas, atëherë shihet se ka pasur me mijëra raste të vjedhjeve anekënd vendit. Hajnat nuk po i lënë rehat as banorët e Fushë Kosovës, të cilët po ankohen se patrullimet e policisë në këtë anë janë të rralla.
Vjedhje po kryhen si ndaj qytetarëve të zakonshëm nëpër shtëpi, ashtu edhe në biznese të ndryshme, por në disa raste pati edhe vjedhje të armatosura në institucione bankare.
Kësaj dukurie nuk i ka shpëtuar as komuna e Fushë Kosovës. Këtu rasti i fundit ishte vjedhja e 5 lopëve të një fermeri nga fshati Grabovc i Ulët, kurse një biznesi privat i janë vjedhur gjëra me vlerë.
Banorët e Fushë Kosovës që ka brenda saj edhe 15 fshatra, po ankohen se patrullimet e policisë janë të pakta në qytet, e sidomos në fshatrat ku edhe ka pasur vjedhje.
“Ka pasur disa vjedhje në fshat dhe banorët janë dëmtuar materialisht. Kemi kërkuar disa herë që të shtohen patrullimet, mirëpo ato po bëhen shumë rrallë, sidomos në fshatra nuk duken asnjëherë policë”, ankohet një banor i një fshati të Fushë Kosovës.
Por, zyrtarët e Policisë së Kosovës thonë se janë të angazhuar maksimalisht me trajtimin dhe hetimin e rasteve të vjedhjeve, si dhe për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve.
“Stacioni i Policisë në Fushë Kosovë vazhdimisht është duke punuar në drejtim të realizimit të programeve të cilat kanë pasur për synim kryesor përmirësimin e parametrave të rendit e sigurisë publike, duke i dhënë përparësi luftës pa kompromis kundër kriminalitetit dhe sidomos, formave të organizuara të krimit”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës dhënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus.
Nga stacioni policor i Fushë Kosovës, kanë bërë me dije se në fshatin Bardh i Madh të kësaj komune, gjendet edhe zyra e sektorit të policisë, e cila thonë se është funksionale dhe kryen punën.
“Në kuadër të këtij stacioni, gjendet edhe zyra e sektorit në fshatin Bardh i Madh, e cila është funksionale dhe vazhdimisht ka patrullime policore”, thuhet tutje në përgjigjen e policisë.
Mirëpo, banorët e fshatit Bardh i Madh që numëron rreth 3 mijë banorë, pohojnë krejt diçka tjetër. Disa prej tyre kanë treguar për FaktePlus se kjo zyre nuk është funksionale dhe se nga zyrtarët e policisë frekuentohet rrallë herë.
Banorët ankohen se ka pasur disa raste të vjedhjeve në fshat dhe për këtë kanë njoftuar edhe forcat policore.
Zyra për informim e Policisë bazuar në të dhënat e Stacionit në Fushë Kosovë pohon se gjatë vitit 2018 nga fshati Bardh i Madh janë raportuar 7 raste të vjedhjeve, por vetëm një rast ka qenë vjedhje e rëndë.
“Po ashtu gjatë vitit 2018 kemi pasur edhe pika kontrolli të përbashkëta me njësinë e trafikut rajonal me radar në rrugën e cila lidh komunën e Fushë Kosovës me komunën e Drenasit, e që kalon në mes të fshatit Bardh i Madh. Vlen të përmendet se gjatë vitit 2018 në fshatin Bardh i Madh janë raportuar 7 raste, prej tyre vetëm një rast vjedhje e rendë”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Statistikat tregojnë se gjatë vitit 2018 kanë ndodhur mbi 5 mijë raste të vjedhjeve në gjithë Kosovën, prej të cilave 2 mijë e 515 raste janë të cilësuara si vjedhje të rënda./FaktePlus