Guvernatori amerikan: Mund të jenë së paku 50 të vdekur nga tornadoja
Guvernatori i shtetit Kentucky të Shteteve të Bashkuara, Andy Beshear, tha se së paku 50 persona me gjasë kanë vdekur pas tornados që e goditi pjesën jugperëndimore të këtij shteti.
“E dimë se, me gjasë, kemi më shumë se 50 vdekje nga kjo ngjarje, nëse jo dukshëm më shumë se kaq”, tha Beshear. Ai shtoi se shkatërrimi më i madh ka ndodhur në distriktin Graves, përfshirë qytezën Mayfield.
“Kemi një fabrikë në Mayfield me shembje të kulmit që do të jetë ngjarje me pasoja masive”, tha më tej guvernatori, shkruan CNN, përcjell Gazeta Express.
Së paku 24 tornado u raportuan në pesë shtete të ShBA-së – Arkansas, Illinois, Kentucky, Missouri dhe Tennessee – sipas Qendrës për Parashikimin e Stuhive “NOAA”. Zyrtarët në Arkansas kanë thënë se së paku dy persona kanë vdekur.
Mundësia për më shumë mot të ashpër pritet të vazhdojë gjatë fundjavës, pasi sistemi po lëviz drejt lindjes, duke u shtrirë nga veriu i Louisiana-s deri në jug të Ohio-s të shtunën herët në mëngjes.
Prezantuesi i motit në televizionin e njohur amerikan, CNN, tregoi një hartë, në të cilën ilustrohet zona e gjerë e lëvizjes së stuhisë – rreth 370 kilometra.