Grushte e gjuajtje me armë në tavolinën ku ishte edhe prokurori
Të shtëna me armë zjarri kanë ndodhur javën e kaluar në Prishtinë ku prezent ishte edhe Ibrahim Berisha, prokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë në Departamentin për Krime të Rënda.
Prezent në tavolinë me Gjokën kanë qenë, prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë në Departamentin për Krime të Rënda, Ibrahim Berisha si dhe ish-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, i cili tash është avokat dhe dy persona të tjerë.
Dy personat e dyshuar për sulm të cilët ndodhen në arrati kanë qenë në shoqëri me Valmira Bllaca, drejtoreshë e prokurimit në ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT), dhe Memli Pajazitin, një qytetar nga Gjakova i afërt me njerëzit e AAK-së dhe me autoritete e ministrisë së Infrastrukturës.
“Memli Pajaziti ka qenë duke drekuar me Valmira Bllacën. Në një tavolinë më andej ka qenë Imer Beka, Ibrahim Berisha, Mehdi Gjoka dhe dy të tjerë. Pasi kanë dalë nga restoranti, Memli me Valmirën, janë kthyer brenda në lokal dy persona bashkë me Memlin dhe kanë filluar zënkën me Mehdiun. Pasi e kanë rrahur, kanë shtënë në ajër me revole dhe kanë ikur nga aty”, tha ky burim për lajmi.net.
Nga ana tjetër, Policia e Kosovës, javën e kaluar ka raportuar për këtë rast mirëpo, pa dhënë hollësi.
“Lagja Emshir, Prishtinë 15.01.2020 – 13:25. Viktima mashkull K-Shqiptar ka raportuar se në një lokal është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull K-Shqiptar, i cili edhe kishte shtënë me armë zjarri dhe ishte larguar në drejtim ta panjohur. Viktima është dërguar ne QKUK, ku pas tretmanit mjekësor është liruar”, thuhej në raportin ditor të Policisë së Kosovës i publikuar me datë 16 janar.
Sipër raportit është shkruar, se rasti është iniciuar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Burime të lajmi.net bëjnë të ditur se, motivet e rastit mund të ndërlidhen edhe me prokurorin Berisha, për frikësimin e tij, pasi ai ka dy raste të hetimit për korrupsion ku është e përfshirë zyrtarja e MIT-së, Valmira Bllaca, në kohën sa ka qenë në prokurimin e policisë.
Lajami.net kishte raportuar se Berisha është duke e hetuar tenderin “Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve nacionale dhe regjionale të Kosovës 2017/2018/2019” dhe tenderin “Furnizim me uniforma të reja për PK”, subjekt i së cilës është edhe Bllaca.
Memli Pajaziti është i afërt me, Valmira Bllacën dhe sekretarin e MIT-së, Betim Reçica.
Siç ka mësuar lajmi.net, Pajaziti është i përfshirë në disa kallëzime penale që janë bërë kohëve të fundit ndaj MIT-së për disa tenderë.
Ai është i dyshuar si ndërmjetësues në disa tenderë.
Tutje burime të lajmi.net bëjnë të ditur se kur është pyetur nga hetuesia, sekretari Reçica, se cila është lidhja e tij me Pajazitin, ai ka deklaruar se e ka shok nga koha e studimeve.
Lidhur me rastin ku pati të shtëna, lajmi.net ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga prokurori Berisha dhe nga ish-prokurori Beka, por asnjëri nga ta nuk e ka hapur telefonin gjatë ditës se sotme.